Putin: Trupat ushtarake ruse do të zhvendosen në kufirin finlandez
Përgatiti: M.Miftari /RTKlive
Putin, nëpërmjet medieve ruse, kërcënoi se Rusia është e gatshme të përdorë armë bërthamore, nëse është e nevojshme.
Presidenti rus, Vladimir Putin, në një intervistë për mediat ruse, kërcënoi se do të zhvendoste trupat në kufirin finlandez.
“Ne nuk kishim trupa atje [në kufirin finlandez], tani do të ketë. Nuk kishte asnjë avion luftarak, tani do të ketë”, tha Putin për mediet ruse, citojnë mediet e huaja.
Putin nënçmoi anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO në intervistë, duke thënë se “ky është një hap i parëndësishëm në drejtim të sigurimit të interesave të tyre kombëtare”.
Rusia ka njoftuar tashmë se synon të forcojë forcat e saj në kufirin e saj me Finlandën, për shkak të anëtarësimit në NATO, njoftojnë mediet e huaja, transmeton RTKlive.
Rusia po planifikon të rrisë numrin e trupave të saj në rajonet fqinje të Finlandës me dhjetëra mijëra ushtarë, vlerëson doktori i Shkencave Ushtarake, Vladimir Pansch, në “Revista ushtarake” (Sotilasaikauslehti).
Në intervistë, Putin foli ndër të tjera edhe për luftën e agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe armët bërthamore.
Putin, gjithashtu, deklaroi se Rusia është e gatshme të negociojë me Ukrainën, por vetëm nëse diskutimi bazohet në "realizëm".
Putin tha se Rusia është e gatshme të përdorë armë bërthamore, nëse rrezikohet ekzistenca e shtetit rus. Megjithatë, ai la të kuptohet gjithashtu për mundësinë që Rusia mund të fillojë testimin e armëve bërthamore, nëse Shtetet e Bashkuara do ta bëjnë këtë, gjithashtu.























