Ukraina vazhdon me sulme ndaj infrastrukturës ruse
Luan Qorraj/ RTK
Forcat ukrainase kanë vazhduar me sulme ajrore brenda territorit rus, përderisa grupet e luftëtarëve rus, të cilët luftojnë kundër Kremlinit, po vazhdojnë të mbajnë territor në rajonin e Bolgorodit, ku kanë paralajmëruar popullatën civile të largohet për të shmangur rrezikun nga luftimet.
Forcat ukrainase kanë vazhduar me sulme ajrore thellë në territorin Rus duke goditur, me fluturake pa pilot, edhe 4 rafineri të naftës në pjesë të ndryshme të Rusisë.
Sipas informatave, fluturaket Ukrainase kanë goditur 4 prej rafinerive më të mëdha të naftës në Rusi, duke shënuar kështu ditën e dytë të sulmeve të suksesshme kundër infrastrukturës në Rusi.
Sipas përfaqësuesve të ministrisë së mbrojtjes së UKrainës forcat e Kievit janë duke implementuar një strategji të mirë menduar e cila ka për qëllim zvogëlimin e potencialit ekonomik të Rusisë.
Njëkohësisht, nga Rajoni i Bolgorodit, ku grupet e vullnetarëve Rus, të cilët i kundërvihen Putinit dhe kanë marrë armët në anën Ukrainase, kanë arritur të marrin territor, njoftohet se, këto grupe janë ende duke funksionuar dhe duke mbajtur territor në rajoni e Bolgorodit ku, përfaqësuesit e këtyre grupeve, kërkuan nga autoritetet e Bolgorodit që të urdhërojnë evakuimin e civilëve për të shmangur rrëzikun nga luftimet.
Njëkohësisht është njoftuar edhe se këto grupe arritën të shkatërrojnë një qendër të komandës Ruse në fshatin Tyotkino në rajonin e Kurskut dhe se janë duke përparuar edhe më thellë brenda Rusisë.
Përveç dëmeve ekonomike dhe strategjike të sulmeve ukrainase brenda Rusisë, besohet se kjo fushatë ka për qëllim edhe shkaktimin e dëmeve sa më të mëdha para zgjedhjeve presidenciale të cilat do të mbahen gjatë fundjavës.
Edhe pse besohet se fitorja e Putinit është e siguruar, sulme të tilla mund të nxisin pakënaqësi tek qytetarët të cilët kanë filluar të ndjejnë lodhjen e 2 viteve të luftës.























