Austria dëbon 2 diplomatë nga ambasada ruse në Vjenë
Përgatiti: M.Miftari/RTKlive
Autoritetet austriake bëjnë të ditur se kanë urdhëruar dy diplomatë nga ambasada ruse, në Vjenë, të largohen nga vendi. Një zyrtar austriak tha se dëbimet kishin lidhje me aktivitetet e spiunazhit.
Ministria e Jashtme, në një deklaratë të shkurtër, njofton se dy diplomatët rusë "u përfshinë në akte të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik" dhe u shpallën "personae non gratae", njoftojnë mediet e huaja, transmeton RTKlive.
Nuk u dhanë detaje të mëtejshme në lidhje me diplomatët apo veprimet e tyre të supozuara. Atyre iu dha afat deri më 19 mars për t'u larguar nga Austria.
Një zyrtar austriak me njohuri për këtë çështje tha se dëbimet kishin lidhje me spiunazhin. Zyrtari foli në kushte anonimiteti për të diskutuar mbi dëbimet.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve ‘RIA Novosti’ citoi Ministrinë e Jashtme ruse të ketë thënë se "Rusia do t'i japë një përgjigje të duhur vendimit të pabazë të Vjenës".
Ambasada ruse në Austri lëshoi një deklaratë në kanalin e saj ‘Telegram’ duke thënë se është “e indinjuar nga vendimi i Ministrisë së Jashtme të Austrisë për të shpallur dy punonjës të Ambasadës Ruse personae non gratae”.
Vendet e Evropës Perëndimore dhe Rusia kanë dëbuar diplomatët e njëri-tjetrit në disa raste që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska, në shkurt 2022.
Austria, një anëtare e Bashkimit Evropian që ka një politikë të neutralitetit ushtarak dhe pret disa agjenci të OKB-së në kryeqytetin e saj në Vjenë, fillimisht hezitoi të ndërmerrte një veprim të tillë, por kohët e fundit ka dëbuar më shumë diplomatë rusë.
Ajo dëboi katër diplomatë rusë në prill 2022 pas presionit nga publiku dhe BE, dhe katër të tjerë në shkurt 2023. Para pushtimit rus të Ukrainës, ajo dëboi një diplomat rus në gusht 2020.























