OKB: Qendra e ndihmës në Rafah është goditur nga forcat izraelite
BKT
Rajoni dhe Bota

OKB: Qendra e ndihmës në Rafah është goditur nga forcat izraelite

Flutura Bekqeli / RTK

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë thotë se një anëtar i stafit u vra dhe 22 të tjerë u plagosën kur forcat izraelite goditën një qendër shpërndarjeje ushqimore në Rafah, në Rripin jugor të Gazës.

Shefi i OKB-së për refugjatët palestinezë, Philippe Lazzarini tha se sulmet ndaj objekteve të saj ishin "bërë të zakonshme në mospërfillje të hapur ndaj ligjit ndërkombëtar humanitar".

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tha se një sulm ajror izraelit vrau pesë persona, ndërkaq ushtria izraelite tha se vrau një komandant të Hamasit në një "sulm të saktë".

Ushtria izraelite e identifikoi atë si Mohammed Abu Hasna dhe pretendoi se ai kishte qenë një "operativ mbështetës luftarak" në krahun ushtarak të Hamasit në zonën Rafah.

Rafah është e mbushur me rreth 1.5 milionë palestinezë që po kërkojnë strehim nga ofensiva tokësore e Izraelit diku tjetër në Gaza.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka paralajmëruar se një sulm i kërcënuar izraelit në qytet mund të "zhysë popullin e Gazës në një rreth edhe më të thellë ferri".

Sulmi i së mërkurës thuhet se goditi anën lindore të qendrës së shpërndarjes së ushqimit e cila është në pjesën lindore të Rafah.

Të mërkurën në mbrëmje, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit dhanë një deklaratë duke thënë se aeroplani  i saj kishte "shënjestruar dhe eliminuar saktësisht një terrorist në Njësinë Operative të Hamasit në zonën e Rafah, pa përmendur objektin e agjencisë.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë thotë se të paktën 165 nga 13 mije punonjësit e saj në Gaza janë vrarë dhe më shumë se 150 objekte të saj janë goditur që nga fillimi i luftës.

Më shumë se 400 njerëz janë vrarë gjithashtu, ndërsa kërkonin strehim nën flamurin e OKB-së, sipas agjencisë.

Izraeli ka akuzuar Agjencine e OKB-së për refugjatët palestinezë për mbështetjen e Hamasit.

Agjencia e ka mohuar këtë, por në janar ajo shkarkoi nëntë nga 12 punonjësit e akuzuar në një dokument izraelit se kishin luajtur rol në sulmet e 7 tetorit.

OKB-ja nuk ka publikuar ende rezultatet e një hetimi të brendshëm të nisur pasi SHBA dhe donatorët e tjerë ndaluan fondet në përgjigje të akuzave.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota