Incidente dhe arrestime gjatë ditës së parë të zgjedhjeve në Rusi
Luan Qorraj / RTK
Pas ditës së parë të votimit në zgjedhjet presidenciale ruse, zyrtarët në Moskë kanë bërë të ditur se së paku tetë persona janë arrestuar gjatë incidenteve në pika të ndryshme të votimit.
Sipas tyre, një grua është arrestuar në Sant Petersburg pasi që hodhi një koktej molotovi pranë njërit prej vendvotimeve, ndërsa në disa vendvotime në Moskë persona të ndryshëm janë arrestuar pasi që hodhën ngjyrë në kutitë e votimit.
Gjithashtu ka raporte për fishekzjarrë të aktivizuar brenda vendvotimeve në Voronjezh si dhe disa incidente ku disa persona ua kanë vënë zjarrin kutive të votimit.
Pavarësisht këtyre incidenteve, pjesa më e madhe e procesit të votimit kaloi e rregullt përderisa të gjithë janë të bindur se Putin, me këtë zgjedhje, do t’i sigurojë edhe 6 vite të tjera si kreu i shtetit.
Përveç në pjesë të Rusisë, vendvotimet janë hapur edhe në disa prej rajoneve të okupuara të Ukrainës prej ku gjithashtu ka raporte për incidente të izoluara.
Zgjedhjet filluan sot në Gadishullin Kamchatka, pjesën më veriore të Rusisë dhe do të përfundojnë të dielën në orën 20:00 me mbylljen e vendvotimeve në enklavën ruse të Kaliningradit.























