Vazhdojnë sulmet brenda territorit rus, në Bolgorod mbyllen shkollat
BKT
Rajoni dhe Bota

Vazhdojnë sulmet brenda territorit rus, në Bolgorod mbyllen shkollat

Luan Qorraj / RTK

Pas sulmeve të pandalura të forcave ukrainase dhe atyre anti-Putin brenda territorit rus, autoritetet në rajonin e Bolgorodit kanë thënë se do t`i mbyllin shkollat dhe disa vende publike përderisa presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Kievi po tenton të pengojë zgjedhjen e tij për edhe një mandat si president i vendit.

Sulmet ajrore dhe artilerike të forcave ukrainase dhe aleatëve të tyre anti-Putin nga Rusia në rajonin e Bolgorodit, brenda Rusisë, po vazhdojnë edhe gjatë ditës së dytë të zgjedhjeve presidenciale ruse. Sipas raporteve, qyteti i Belgorodit përsëri ka qenë cak i sulmeve artilerike dhe ajrore të forcave pro-ukrainase, përderisa grupet e vullnetarëve rusë, të cilët luftojnë kundër Kremlinit kanë vazhduar të mbajnë territor në këtë rajon, pavarësisht tentimeve të forcave ruse të rikthejnë kontrollin.

Për shkak të sulmeve të pandalura, autoritetet në Bolgorod kanë urdhëruar mbylljen e shkollave, qendrave tregtare dhe disa vendeve tjera publike, përderisa një pjesë e banorëve të këtij rajoni ka filluar të largohet nga shtëpitë e tyre.

Gjithashtu ka raporte se grupet e luftëtarëve anti-Putin po vazhdojnë të përballën me forcat ruse edhe në rajonin e Kurskut, ku mbajnë nën kontroll disa fshatra, ndërsa fluturaket ukrainase pa pilot kanë goditur edhe dy rafineri të naftës thellë brenda territorit rus. Sulmet kundër rafinerive besohet të jenë pjesë e një plani ukrainas për zvogëlimin e potencialit ekonomik të Rusisë dhe besohet se gjatë ditëve të kaluara , me sulme të ngjashme ukrainasit ndaluan 10 deri 15% të rafinimit ditor të naftës në Rusi.

Ndërkohë presidenti rus Vladimir Putin, i cili pritet të korrë fitore absolute në zgjedhjet presidenciale të cilat përfundojnë nesër, tha se beson që sulmet ukrainase, si dhe ofensiva e forcave anti-Kremlin në Bolgorod janë tentim i Kievit që të pengojë rizgjedhjen e tij si president i Rusisë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota