Osetia e Jugut po ‘diskuton’ për t`u bërë pjesë e Rusisë
Muharrem Miftari/RTKlive
Osetia e Jugut, një rajon që u shkëput nga Gjeorgjia dhe e quan veten një shtet të pavarur, ka diskutuar për t`u bërë pjesë e Rusisë me zyrtarët e Moskës.
Kështu citohet të ketë thënë për agjencinë ruse të lajmeve RIA të dielën (17 mars) kreu i Parlamentit të Osetisë së Jugut, Alan Alborov.
Rusia njohu Osetinë e Jugut dhe një rajon tjetër separatist, Abkhazinë, si shtete të pavarura në vitin 2008, pasi trupat ruse zmbrapsën një përpjekje gjeorgjiane për të rimarrë Osetinë e Jugut në një luftë pesëditore në vitin 2008. Venezuela, Nikaragua, Nauru dhe Siria i njohën gjithashtu si të pavarura.
Por Perëndimi akuzoi Rusinë për aneksimin efektiv të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, një të pestën e territorit të Gjeorgjisë, dhe Tbilisi dëshiron që të dy rajonet të kthehen.
"Ne po diskutojmë të gjitha këto çështje në koordinim të ngushtë me Rusinë, duke marrë parasysh marrëdhëniet dhe traktatet tona dypalëshe," deklaroi Alan Alborov, kryetari i Parlamentit të Osetisë së Jugut, njoftojnë mediet e huaja, transmeton RTKlive.
"Kur të arrijmë në këtë ide së bashku me Federatën Ruse (në lidhje me bashkimin me Federatën Ruse), ne do ta bëjmë atë," tha, mes tjerash, Alborov.
Udhëheqësi i Osetisë së Jugut, i mbështetur nga Rusia, Alan Gagloev, vitin e kaluar shprehu shpresën se rajoni mund të inkorporohet zyrtarisht në Rusi.
Osetia e Jugut u shkëput nga sundimi gjeorgjian në një luftë në 1991-92, në të cilën disa mijëra njerëz vdiqën, dhe mban lidhje të ngushta me rajonin fqinj rus të Osetisë së Veriut.
Shumica e Osetëve të Jugut janë etnikisht të ndryshëm nga gjeorgjianët dhe flasin gjuhën e tyre, të lidhur me farsin.
Pothuajse e gjithë popullata ka pranuar pasaporta ruse. Ata përdorin rublën ruse si monedhën e tyre dhe ekonomia është e varur nga Rusia.























