Zia e bukës po afrohet në Sudan
Dardan Ramabaja /RTK
Ndërsa uria, vrasjet dhe përdhunimet kanë pllakosur Sudanin nga lufta civile, OKB paralajmëron një krizë të paprecedentë.
Zia e bukës po afrohet në Sudan, ndërsa të mbijetuarit e luftës civile tregojnë për vrasje dhe përdhunime, raporton BBC.
Civilët e mbërthyer në luftën civile të Sudanit po përjetojnë përdhunime, dhunë etnike dhe ekzekutime.
Zyrtarët e lartë të OKB-së kanë thënë se konflikti e ka zhytur vendin në "një nga makthet më të këqija humanitare në historinë e fundit" dhe mund të shkaktojë krizën më të madhe të urisë në botë.
Ekziston, gjithashtu, frika se në Darfur, në perëndim të vendit, mund të fillojë të shpaloset një përsëritje e asaj që SHBA e quajti gjenocid 20 vjet më parë.
Në mes të shkurtit, ushtria sudaneze rimori qytetin Khartoum - një nga tre përgjatë lumit Nil që formojnë kryeqytetin më të gjerë të Sudanit.
Në mesin e dhjetorit, forcat e fuqishme paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) hynë në shtetin qendror të Sudanit, e njohur si sofra e bukës së vendit, me një ultimatum: "Regjistrohu ose vdis".
Që atëherë, grupi i milicisë ka kërkuar të përdorë ushqimin si armë, në një përpjekje për të detyruar burrat dhe djemtë të bashkohen me radhët e tij, sipas medieve.
RSF ka luftuar me Forcat e Armatosura Sudaneze (SAF) për kontrollin e vendit, që kur shpërtheu një luftë civile mes dy fraksioneve rivale në prill të vitit të kaluar. Të dy forcat janë akuzuar për vrasjen e civilëve.
Edhe CNN, vitin e kaluar, ekspozoi një fushatë të udhëhequr nga RSF për të skllavëruar burrat dhe gratë dhe mizori të tjera nga grupi paraushtarak dhe milicitë e tij aleate në rajonin perëndimor të Darfurit të Sudanit - një zonë tashmë e plagosur nga ajo që është përshkruar gjerësisht si gjenocidi i parë i shekullit të 21-të.
Gjatë luftës në Darfur, 20 vjet më parë, një milici arabe e quajtur Janjaweed u mobilizua nga ish-presidenti Omar al-Bashir për të shtypur një rebelim nga grupet etnike joarabe.
OKB thotë se 300,000 njerëz u vranë dhe përdhunimi u përdor gjerësisht si një mënyrë për të terrorizuar komunitetet afrikane dhe për t'i detyruar ata të ikin.























