BE: Armë për Ukrainën paguar me interesat e pasurive ruse
DW
Fitimet nga asetet e ngrira të shtetit rus do të përdoren për të ndihmuar Ukrainën. Me paratë ruse do të blihen armë për të luftuar Rusinë. Të premten në samit në fokus qëndron mbrojtja e BE-së.
Të premten në samitin e BE në Bruksel qëndron një projekt tjetër në fokus: si të forcojë mbrojtjen Europa para konfliktit në Ukrainë. Në një pikë janë të një mendimi krerët e shteteve e qeverive të BE. Armatosja me efekt kërcënues ndaj sulmeve potenciale do të kushtojë shumë para. Se nga vijnë mjetet këtu qëndrimet ndahen. Ideja e Spanjës dhe Francës që të merren borxhe të përbashkëta si në kohën e Coronës, shihet me dyshim nga Gjermania. Por prioritet kanë ndihmat e furnizimet me armë për Ukrainën. Këtu u arrit ujdia që të përdoren fitime nga interesat e aseteve të ngrira ruse për ndihma dhe furnizimin me armë të Ukrainës. "Para së gjithash tani do të mundësojmë shpejt që të marrim fitimet nga asetet e ngrira ruse në BE. Dhe me një pjesë të parave do të ndihmojmë Ukrainën, edhe me mjete ushtarake."
Samiti i BE i drejtoi të enjten apel të qartë Izraelit. Ai kërkohet që të ndalë menjëherë luftimet në Rripin e Gazës për të mundësuar arritjen e ndihmave humanitare. Më parë në samit pati një shkëmbim mendimesh me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Afrim më i madh BE Ukrainë
Para një viti shtetet e BE i premtuan Ukrainës se do ta furnizojnë me 1 milionë municione për ushtrinë në luftën mbrojtëse kundër Rusisë. Deri tani BE nuk e ka realizuar dot këtë premtim. Në Bruksel u morën një sërë masash të tjera financiare dhe politike. Në samitin e BE u arrit ujdia të enjten për financimin e furnizimit me armë të Ukrainës.
50 miliardë për buxhetin ukrainas
Për herë të parë u zhvillua edhe takimi i Këshillit të Asociiimit Ukrainë-BE, pas dhjetorit kur BE zyrtarisht bëri të ditur fillimin e negociatave të anëtarësimit. Në këtë instancë përgatiten hapa të tjerë deri në pranimin e negociatave të anëtarësimit. Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal paraqiti një plan reformash dhe për rindërtimin e Ukrainës. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen bëri të ditur, se të mërkurën u lirua kësti i parë prej 4,5 miliardë eurosh nga 50 miliardë euro të instrumentit të ri të financimit të BE për vendin kandidat, Ukrainën. Deri në fund të vitit 2027 do të financohet kështu buxheti i Ukrainës. "Kjo është vendimtare për Ukrainën", tha presidentja e KE, Ursula von der Leyen. "Jemi mirënjohës për këtë mbështetje", u shpreh kryeministri ukrainas, Shmyhal. Mekanizimi i financimit me 50 miliardë euro për Ukrainën është çelës për stabilitet. "BE është tani në një gjendje alarmi, sepse edhe interesat e saj vitale janë në lojë", tha Shmyhal.
Megjithatë BE ende nuk ra dakord, se kur do të fillojnë formalisht bisedimet e anëtarësimit me një konferencë qeveritare të 27 vendeve anëtare plus Ukrainën. Për këtë nevojitet vendimi unanim. Hungaria e ka shtyrë vazhdimisht procesin e anëtarësimit të Ukrainës.























