Kievi dhe zona të tjera janë goditur nga raketat ruse gjatë natës
Dardan Ramabaja / RTK
Kryeqyteti Ukrainas dhe zona të tjera janë goditur nga raketat ruse gjatë natës
Shpërthime të shumta kanë goditur Kievin dhe e gjithë Ukraina është vënë në gatishmëri pasi Rusia nisi një valë sulmesh ajrore.
Rajoni i Lviv në kufi me Poloninë ishte gjithashtu në shënjestër dhe një nga raketat kryqëzore hyri në hapësirën ajrore polake, njoftuan forcat e armatosura të vendit.
Sulmet nisën në kryeqytet në orën 05:00 sipas ushtrisë ukrainase e cila tha se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore ishin të angazhuara në zmbrapsjen e sulmit.
Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, tha se dhjetra raketa ruse ishin shkatërruar mbi kryeqytetin dhe në afërsi të tij, ndërsa nuk ka raportuar për viktima.
Kurse Andriy Sadovyi, kryebashkiaku i Lviv, shkroi në Telegram se vetë qyteti nuk ishte goditur. Megjithatë, rreth 20 raketa dhe shtatë dronë ishin lëshuar kundër rajonit të tij, duke shënjestruar "infrastrukturën kritike".
Ukraina ishte vendosur më herët në alarm mbarëkombëtar që paralajmëroi për lëshimin e raketave nga bombarduesit strategjikë rusë.
Ndërkohë, Polonia tha se hapësira e saj ajrore ishte shkelur nga një nga raketat e lëshuara nga Rusia.
"Objekti hyri në hapësirën polake pranë qytetit Oserdow dhe qëndroi atje për 39 sekonda. Gjatë gjithë fluturimit, ai u vëzhgua nga sistemet e radarëve ushtarakë," njofton ushtria polake në një deklaratë.
Sulmi vjen pasi Rusia lëshoi dhjetëra raketa të premten, duke goditur një digë që la një milion ukrainas pa energji.
Ndërkohë edhe Ukraina ka goditur infrastrukturën ushtarake ruse në Krime. Guvernatori i instaluar nga Rusia i portit të Sevastopolit, tha se forcat ruse kishin rrëzuar 10 raketa ukrainase mbi qytet të shtunën vonë, ndërsa një ndërtesë zyre dhe një linjë gazi u shkatërruan dhe një grua pësoi lëndime nga shpërthimi predha.























