OKB kundër sulmeve në Zaporizhia
Hanife Osmani|RTK
Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim të thellë rreth sulmeve të fundit në centralin më të madh bërthamor në Evropë, i cili ndodhet në Zaporizhia të Ukrainës. Sulme të tilla mund të çojnë në rrezik të madh bërthamor, thonë nga OKB.
Një sulm i ri me dronë në centralin e energjisë në Zaporizhja të Ukrainës, ka rritur rrezikun për aksident të madh bërthamor, tha Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike. Pala Ruse ka deklaruar se Ukraina qëndron pas sulmit, në të cilin u plagosën tre persona, ndërsa kjo e fundit e ka mohuar përfshirjen.
Centrali bërthamor në Zaporizhia i cili kontrollohet nga Rusia është më i madhi në Evropë dhe ka gjashtë reaktorë.
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, Rafael Grossi ka paralajmëruar disa herë kundër sulmeve të tilla. Ai shtoi se sulmi i së shtunës me dronë ka qenë i pamatur dhe përshkallëzim masiv i sigurisë bërthamore. Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike, ka derguar një ekip ekspertësh në Zaporizhja, ku të njejtit kanë konfirmuar ndikimin fizik të sulmeve me drone në central, përfshirë në njërin prej reaktorëve. E administrata e instaluar prej Rusisë brenda centralit ka thënë se nivelet e rrezatimit janë normale dhe se nuk është shkaktuar dëm serioz.























