Izraeli përgatitet për operacione ushtarake në Rafah
Hanife Osmani| RTK
Në ditën e 185 të luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit negociatat për një armëpushim janë duke parë një progres në Kajro, ku të gjitha palët duket se kanë rënë dakord për pikat bazë, sipas kanalit televiziv shtetëror të Egjiptit, megjithatë specifikat e diskutimeve ende nuk dihen.
Bisedimeve të reja në Kajro rreth armëpushimit u parapriu vizita e drejtorit të CIA-s nga SHBA, William Burns. E edhe Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron tha të dielën se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Izraelin "nuk është e pakushtëzuar".
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant, tha se trupat izraelite po përgatiten për operacione tokësore të ardhshme, duke përfshirë edhe qytetin jugor të Rafahut, pas tërheqjes ushtarake nga zona të tjera të Rripit të Gazës.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e Palestinës për t'u bërë vend anëtar i OKB-së të hënën. Diskutimet për aplikimin formal të Palestinës rreth anëtarësimit të plotë në OKB fillojnë në mesditë me orën e Nju Jorkut.
Nga ngjarje të tjera rreth 600 nëpunës civilë gjermanë i kanë bërë thirrje qeverisë, kancelarit Olaf Scholz dhe ministrave që të ndalojnë sa më parë dërgesat e armëve për qeverinë izraelite. Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka kujtuar sulmet e Hamasit ndaj Izraelit me 7 tetor si një "ditë dhimbjeje për Izraelin dhe botën". Ai shtoi se asgjë nuk mund të justifikojë tmerrin e lëshuar nga Hamasi më 7 tetor.























