Macron: Franca do të sigurohet që çdo hap i marrëveshjes të përmbushet
RTKLive
Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se “çështja e Kosovës është një premtim dhe zotim për të ardhmen e rajonit” dhe se e gjithë kjo është përfshirë në marrëveshjen e arritur vitin e kaluar. “Franca do të sigurohet që çdo hap i marrëveshjes do të përmbushet”, tha Macron gjatë një konference për media, para takimit që zhvilloi në Paris me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Unë jam i vetëdijshëm se sa të vështira janë këto kompromise, por edhe të mundshme, për liderët që kanë guximin dhe vizionin për t’i pranuar ato dhe për të korrur frytet e paqes dhe kështu të kontribuojnë në stabilizimin e rajonit”, tha Macron.
Ai po ashtu tha se është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në sulmin në Banjskë të arrestohen.
“Është e nevojshme që nga njëra anë që përgjegjësit për sulmin në Banjskë vjeshtën e kaluar të dalin para gjykatave dhe të dhënë përgjegjësi për veprimet e tyre. Duhet të bëhet çdo gjë që të mos ndodhë më një dramë e tillë”, tha Macron.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë shkëmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, akuzë që është hedhur poshtë nga Beogradi. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
“Po ashtu dua që Prishtina të respektojë zotimet e saj, si dhe që zgjedhjet të respektohen me legjitimitet të plotë demokratik, veçanërisht në komunat me shumicë serbe”, tha Macron.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Vuçiq ka akuzuar palën kosovare se nuk ka bërë asgjë në dialog.
“Ju thatë se të dyja palët kanë bërë nga diçka, për Beogradin dhe Prishtinën, por jo të dyja. Njëra palë s’ka bërë asgjë. Ajo njëra palë ka organizuar zgjedhje me pjesëmarrje 3.4 për qind. Pastaj çështja e dinarit është çështje e mbijetesës serbe në Kosovë”, ka thënë Vuçiq.























