SHBA ka udhëzuar diplomatët për kufizim të lëvizjes në Izrael
Bardhyl Bajrami /RTK
Shtetet e Bashkuara kanë udhëzuar diplomatët e vet që t`i kufizojnë lëvizjet në Izrael, për shkak të frikës për ndonjë sulm të mundshëm nga Irani. Ndërkohë, po vazhdojnë përpjekjet diplomatike për moszgjerim të konfliktit në Lindjen e Mesme. Irani është zotuar se do të hakmerret ndaj sulmit në konsullatën e tij në Damask, për të cilin thotë se e ka kryer Izraeli.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kufizuar lëvizjet e diplomatëve në Izrael, nga frika për ndonjë sulm të mundshëm nga Irani. Ambasada e SHBA-së ka thënë se personeli është udhëzuar që të mos udhëtojë jashtë territorit të gjerë të Jerusalemit, Tel Avivit dhe Beershebas.
Ndërkohë, sekretari britanik David Cameron ka biseduar me telefon me homologun iranian Hossein Amir-Abdollahian, nga i cili ka kërkuar që të mos përshkallëzohet më tej situata. Pas bisedës, Lordi Cameron ka thënë se ia ka bërë të qartë ministrit se Irani nuk duhet ta çojë Lindjen e Mesme në një konflikt më të gjerë.
Dje, presidenti amerikan Joe Biden është zotuar se do ta mbrojë Izraelin ndaj çfarëdo sulmi të mundshëm nga Irani.
Ndërkohë sekretari amerikan Antoni Blinken ka biseduar me ministrat e jashtëm të Kinës, Arabisë Saudite dhe Turqisë rreth situatës, duke thënë se eskalimi i mëtejmë i situatës nuk është në interesin e askujt.
Irani është zotuar për hakmarrje, derisa ka fajësuar Izraelin për sulmin në konsullatën e tij në Damask të Sirisë më 1 prill ku u vranë 11 persona, përfshirë zyrtarë të lartë ushtarakë.
Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për atë sulm, por gjerësisht besohet se qëndron prapa tij.























