Zëvendësministri rus i Mbrojtjes akuzohet për marrje ryshfeti
BKT
Rajoni dhe Bota

Zëvendësministri rus i Mbrojtjes akuzohet për marrje ryshfeti

RTK

Zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Timur Ivanov po akuzohet për marrje ryshfeti. Ai është në paraburgim, vendim ky nga një gjykatë në Moskë.

Ivanov, mohoi akuzat për pranim ryshfeti "në një shkallë veçanërisht të madhe".

Ivanov ka qenë përgjegjës për projektet e infrastrukturës ushtarake të Rusisë, ai u emërua në ministrinë e mbrojtjes në vitin 2016. Megjithatë, raste të tilla të profilit të lartë të përfshira në afera korruptive në Rusi kanë qenë të rralla që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

E pretendimet mediatike se pas arrestimit të zëvendësministrit rus qëndron dyshimi për tradhti i ka hedhur poshtë Kremlini. Ka shumë interpretime të ndryshme rreth gjithë kësaj tani mirëpo, duhet të përqendroheni në informacionin zyrtar, u tha gazetarëve zëdhënësi Dmitry Peskov.

Fondacioni Kundër Korrupsionit (ACF), grupi i themeluar nga lideri i ndjerë i opozitës Alexei Navalny, akuzoi Ivanovin për pjesëmarrje në skemat e korrupsionit gjatë ndërtimit në territoret e Ukrainës të pushtuara nga Rusia.

Ivanov është sanksionuar edhe nga SHBA dhe Britania e Madhe, ndërsa Bashkimi Evropian e përshkruan atë si të dhjetën në hierarkinë e përgjithshme të udhëheqjes ushtarake ruse.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota