Qyteti Chasiv Yar në Ukrainë po kthehet në gërmadhë nga sulmet ruse
Dardan Ramabaja/ RTK
Qyteti strategjik lindor Chasiv Yar në Ukrainë është bërë shënjestër e dronëve rusë që po sulmojnë vazhdimisht në një përpjekje për ta pushtuar qytetin.
Para luftës, ishte një qytet i rrethuar me gjelbërim. Tani, Chasiv Yar u bashkohet qyteteve Bakhmut dhe Mariupol, që janë bërë fusha rrënimi.
Gjatë dy muajve të fundit, forcat ruse kanë shtuar ofensivën e tyre në këtë qytet strategjik. Nëse e kapin atë, ata mund të avancojnë thellë në Donbasin perëndimor.
Pjesa perëndimore e qytetit, ende e mbajtur nga ukrainasit, mban plagët e granatimeve disa javore.
Rusët janë 3 kilometra larg. Në Chasiv Yar dikur jetonin 12,000 banorë, por sot kanë mbetur vetëm disa dhjetëra. Për të kapur këtë qytet në majë të kodrës, rusët përdorin raketat e komanduara dhe dronët. Ata kanë epërsinë në qiell dhe po u shkaktojnë humbje të mëdha ukrainasve.
Për ukrainasit, koha po mbaron: ndërsa ndihma amerikane është planifikuar për në qershor, forcat ruse po avancojnë në Donbas. Moska thuhet se ka grumbulluar të paktën 20,000 ushtarë në rajon, të vendosur për të kërkuar këtë triumf simbolik më 9 maj, datën e fitores ndaj Gjermanisë naziste.























