SHBA ka ndaluar dërgesën e bombave për Izraelin, shkak Rafah
Aurora Verbica / RTKlive
Javën e kaluar SHBA ndaloi një dërgesë bombash për Izraelin për shkak të shqetësimeve se do të vazhdonte me një operacion të madh tokësor në qytetin jugor të Gazës, Rafah, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
Izraeli nuk i ka adresuar plotësisht shqetësimet e SHBA-së për nevojat humanitare të civilëve në Rafah, tha zyrtari amerikan, raporton BBC.
Vonesa e dërgimit të armëve vjen pasi presidenti amerikan Joe Biden përballet me presionin e brendshëm në rritje - nga ligjvënësit demokratë dhe një pjesë e publikut amerikan - për të frenuar operacionet izraelite në Gaza mes rritjes së vdekjeve civile dhe një përkeqësimi të situatës humanitare.
Pavarësisht kundërshtimit të fortë dhe të zëshëm të SHBA-së, Izraeli duket i gatshëm të kryejë një pushtim në shkallë të gjerë të Rafahut, një pjesë e mbipopulluar e Gazës jugore që është bastioni i fundit i madh i Hamasit.
Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se një operacion në qytet - ku popullsia është shtuar me refugjatë nga pjesë të tjera të Gazës - mund të çojë në viktima të shumta civile.
Zëdhënësi i IDF-së, Daniel Hagari tha në një konferencë shtypi se SHBA-ja kishte ofruar ndihmë "të pashembullt" të sigurisë që nga fillimi i luftës, duke shtuar se mosmarrëveshjet midis aleatëve u zgjidhën "pas dyerve të mbyllura në një mënyrë faktike".
“Ne jemi përgjegjës për interesat e sigurisë së shtetit të Izraelit dhe jemi të vëmendshëm ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara në rajon”, tha ai.























