Netanyahu denoncon përpjekjen për t’u arrestuar për lufte nga GJNP
BKT
Rajoni dhe Bota

Netanyahu denoncon përpjekjen për t’u arrestuar për lufte nga GJNP

Dardan Ramabaja/RTK

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka denoncuar përpjekjen e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ta arrestuar për luftën në Gazë. Netanyahu ka dënuar me zemërim prokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për kërkimin e urdhër-arrestit për të së bashku me liderët e Hamasit për krimet e dyshuara të luftës në konfliktin e Gazës.

Netanyahu tha se ai hodhi poshtë me neveri se "Izraeli demokratik" u krahasua me ata që ai i quajti "vrasës masiv".

Komentet e Netanyahut u bënë jehonë nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili tha se nuk kishte ekuivalencë mes Izraelit dhe Hamasit.

Ndërsa sekretari i shtetit, Antony Blinken e ka quajtur masën të turpshme, duke sugjeruar se kërkesa për urdhër-arrest do të rrezikonte edhe përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një marrëveshje armëpushimi.

Izraeli dhe SHBA, nuk janë anëtarë të gjykatës ndërkombëtare penale, e cila u krijua në 2002.

Kryeprokurori i gjykatës për krime, Karim Khan, tha se kishte prova të arsyeshme për të besuar se  Netanyahu dhe ministri i tij i Mbrojtjes, Yoav Gallant mbanin përgjegjësi penale për krimet e dyshuara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit në Gaza.

Gjykata po kërkon gjithashtu një urdhër arrest për liderin e Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar, për krime lufte.

Hamasi hodhi poshtë të hënën vendimin duke akuzuar Karim Khan se po përpiqej të "barazonte viktimën me xhelatin".

Akuzat kundër liderëve izraelitë dhe atyre të Hamasit rrjedhin nga ngjarjet e 7 tetorit, kur grupet e armatosura të Hamasit sulmuan Izraelin, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë 252 të tjerë peng. Sulmi shkaktoi luftën aktuale, në të cilën të paktën 35,500 palestinezë janë vrarë në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit të drejtuar nga Hamasi.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota