Spanja, Irlanda dhe Norvegjia vendosin ta njohin Palestinën si shtet
SH.Ç/RTKlive
Norvegjia, Irlanda dhe Spanja kanë njoftuar se do ta njohin shtetin palestinez. Të paktën 140 shtete të Kombeve të Bashkuara e njohin shtetin palestinez. Por të tjera – përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar nuk e njohin zyrtarisht. Izraeli menjëherë ka paralajmëruar masa ndërsa ka tërhequr të dërguarit.
Norvegjia, Irlanda dhe Spnja kanë njoftuar se kanë vendosur ta njohin Palestinën si shtet të pavarur. Të tria vendet njoftuan njëra pas tjetrës përmes konferencave për media për vendimin e tyre për Palestinën.
Kryeministri i Irlandës, Simon Harris, ka theksuar se ky ishte një vendim i përbashkët mes vendit të tij, Spanjës dhe Norvegjisë. Kryeministri irlandez, Harris,ka thënë se kjo është një ditë historike dhe e rëndësishme për Irlandën dhe Palestinën”.
Sipas tij, vendimi i vendit të tij për ta njohur Palestinën si shtet ka për qëllim të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin palestinezo-izraelit përmes zgjidhjes me dy shtete.
Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, ka thënë se “nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme, nëse nuk ka njohje”. Gahr Store ka theksuar se shteti skandinav do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez nga 28 maji.
“Palestina ka të drejtë thelbësore për të qenë shtet i pavarur. Prandaj, Norvegjia do ta njohë Palestinën si shtet të pavarur me të gjitha të drejtat dhe obligimet”, ka thënë ai.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë se vendi i tij do ta njohë Palestinën si shtet më 28 maj.
Sanchez, lider socialist i Spanjës prej vitit 2018, e dha lajmin e pritur gjatë një fjalimi në Parlament të mërkurën.
Sanchez i ka kaluar disa muaj nëpër vendet evropiane dhe të Lindjes së Mesme, për të fituar mbështetje për njohjen e Palestinës, si dhe për një armëpushim të mundshëm në Gazë.
Në fillim të këtij muaji, ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, tha se e kishte njoftuar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për qëllimin e Qeverisë së tij për ta njohur Palestinën.
Ky vendim historik nxiti kundërshtim të ashpër nga Izraeli dhe gëzim nga palestinezët. Izraeli i tërhoqi menjëherë ambasadorët e vet nga Norvegjia dhe Irlanda.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, i urdhëroi ambasadorët izraelitë në Irlandë dhe Norvegji të kthehen menjëherë në Izrael, pas njoftimit të këtyre dy vendeve për ta njohur Palestinën.
“Irlanda dhe Norvegjia kanë për qëllim t’u dërgojnë mesazh sot palestinezëve dhe tërë botës: terrorizmi shpërblehet”, ka theksuar Katz.
Ai ka thënë se njohja mund t’i pengojë përpjekjet për kthimin e pengjeve izraelite që po mbahen në Gazë dhe se e bën më pak të mundur arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim, “duke i shpërblyer xhihadistët e Hamasit dhe Iranit”.
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abhas, e mirëpriti vendimin e Norvegjisë për njohjen e shtetit palestinez dhe u bëri thirrje vendeve të tjera ta bëjnë të njëjtën gjë.
Të paktën 140 shtete të Kombeve të Bashkuara e njohin shtetin palestinez. Por të tjera – përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar nuk e njohin zyrtarisht.























