Shtatë të vrarë e dhjetëra të plagosur në Kharkiv
BKT
Rajoni dhe Bota

Shtatë të vrarë e dhjetëra të plagosur në Kharkiv

Flutura Bekqeli/ RTK

Të paktën shtatë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në një sulm me raketa ruse në Kharkiv, në veri-lindje të Ukrainës.

Dy persona të tjerë mbeten të zhdukur pas sulmit, ku forcat ruse goditën qytetin e dytë më të madh të Ukrainës të paktën 15 herë, kanë thënë zyrtarët ukrainas.

Kreu rajonal i Kharkivit i këshilloi njerëzit në qytet të qëndrojnë në strehimore.

Kompania shtetërore e hekurudhave e Ukrainës tha se disa nga objektet janë dëmtuar nga sulmi dhe një numër punonjësish të saj janë plagosur.

Në fillim të këtij muaji forcat ruse filluan një ofensivë në Kharkiv për ta thyer vijën e frontit të Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas njoftuan se luftimet po vazhdojnë pranë qyteteve Plet-enivka dhe Vovchansk, por forcat e Ukrainës i kanë në kontroll.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Rusia po përfiton nga mungesa e mbrojtjes ajrore e Ukrainës. Furnizimet e sistemeve të raketave tokë-ajër, të prodhuara nga ShBA-ja, Ukrainës i janë vonuar.

Zelensky ka bërë thirrje vazhdimisht për më shumë raketa të mbrojtjes ajrore dhe furnizim me aeroplanë luftarakë modernë nga aleatët e tij.

Luftimet në rajon kanë zhvendosur rreth 14 000 njerëz, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërsa rreth 189 000 njerëz që mbetën pranë kufirit me Rusinë po përballen me rreziqe të konsiderueshme për shkak të luftimeve të vazhdueshme.

Presidenti rus Vladimir Putin pretendon se qëllimi i tij nuk është për ta kapur Kharkivin, por krijimi i një "zonë sigurie" për rajonin kufitar të Rusisë.

Zelensky paralajmëroi javën e kaluar se ofensiva tokësore ruse mund të jetë vetëm një "valë e parë".


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota