Spanja, Norvegjia dhe Irlanda njohin shtetin palestinez
Hanife Osmani / RTK
Spanja, Norvegjia dhe Irlanda konfirmojnë njohjen e shtetit të Palestinës. Ky vendim u cilësua historik nga të tri vendet të cilat shpresojnë se do të shërbejnë si shembull edhe për vendet tjera.
Qëllimi i veprimit trelateral është të inkurajojë edhe vendet e tjera evropiane që të ndjekin shembullin e tyre drejt një shtytje diplomatike që mund të ndihmojë në sigurimin e një armëpushimi në Gaza dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, si dhe përfundimisht gjetjen e një zgjidhje politike për Luftën në Lindjen e Mesme.
Tri vendet deklaruan se njohin shtetin palestinez bazuar në kufijtë e vendosur para luftës në 1967, me Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe Palestinës.
Megjithatë vendimi simbolik ka provokuar një mosmarrëveshje të fuqishme me qeverinë izraelite, kjo e fundit akuzoi tri vendet se me këtë po shpërblejnë terrorizmin, dhe njëkohësisht tërhoqi ambasadorët e tij nga Irlanda, Norvegjia dhe Spanja.
Mirëpo, njohja e Palestinës gjithashtu rrit presionin diplomatik mbi Izraelin pasi dy gjykata ndërkombëtare kërkuan përfundimin e operacioneve të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit në Gazën jugore dhe akuzuan kryeministrin Benjamin Netanyahu për krime lufte.
Procesi i njohjes diplomatike ndryshon midis vendeve, por zakonisht përfshin një shkëmbim zyrtar të kredencialeve me Autoritetin Palestinez në Ramallah. Konsullatat ose misionet ekzistuese në Bregun Perëndimor ose Jerusalemin Lindor më pas bëhen ambasada zyrtare, ndërsa përfaqësuesit shndërrohen në ambasadorë të plotë. Flamuri palestinez po valon mbi Parlamentin e Irlandës, ku kryeministri Simon Harris tha se ky është një veprim historik dhe i rëndësishëm. Edhe Ministri i Jashtëm norvegjez Espen Barth Eide, tha është "një ditë e veçantë për marrëdhëniet Norvegji-Palestinë".
Se kjo është një çështje e drejtësisë historike u shpreh edhe kryeministri i Spanjës, Pendo Sanchez. Sllovenia, Malta dhe Belgjika muajt e fundit kanë treguar se mund të njohin gjithashtu Palestinën.
Por, Qeveria e Belgjikës duket se është ftohur me idenë përpara zgjedhjeve. Palestinën zyrtarisht e njohin gjithsej 139 shtete. Më 10 maj, 143 nga 193 anëtarë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara votuan në favor të një të Palestinës për anëtarësim të plotë në OKB, diçka që është e hapur vetëm për shtetet.
Palestina aktualisht ka një lloj statusi të zgjëruar të vëzhguesit në OKB, gjë që i jep asaj një vend, por jo një votë në asamble. Ajo njihet gjithashtu nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë Ligën Arabe dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.























