Reshje të mëdha të shiut, Bavari rrezikohet nga përmbytjet
Bardhyl Bajrami /RTK
Pas disa ditëve me shi të pandërprerë, Bavaria dhe Baden-Wurttembergu, në Gjermani, pritet që të goditen më së rëndi nga përmbytjet. Niveli i ujit të lumenjve afër liqenit të Konstancës po vazhdon të rritet.
Niveli i ujërave të lumenjve që ndodhen në afërsi të Liqenit të Konstancës në Gjermani po vazhdon të rritet pas disa netëve që ka rënë shi pandërprerë. Si pasojë pritet që gjatë këtij vikendi, pjesë të mëdha të Baden-Wurtembergut dhe Bavarisë të goditen më së rëndi.
Në Lindau, rrugët dhe nënkalimet janë përmbytur qysh të premten në mbrëmje ndërsa autoritetet kanë pezulluar qarkullimin e autobusëve. Ekipet e zjarrfikësve dhe organizatat e ndihmës teknike ishin gjatë gjithë kohës në detyrë. Një pjesë e banorëve në Lindau janë detyruar të evakuohen nga banesat e tyre për shkak të përmbytjeve.
Liqeni i Konstancës shtrihet në kufirin mes Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës, ndërsa mbushet nga lumi Rajna.























