Rep.Sërpska do ta ratifikojë Deklaratën e `Kuvendit gjithëserb` në korrik
REL
Asambleja Kombëtare e entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Republikës Sërpska, do të mbajë një seancë në fillim të korrikut, për të ratifikuar Deklaratën e “Kuvendit gjithëserb”, të nënshkruar më 8 qershor.
Kështu ka thënë kryetari i Asamblesë, Nenad Stevandiq.
“Kuvendi gjithëserb” është mbajtur më 8 qershor në Beograd.
Përgjatë takimit, Qeveria e Serbisë dhe ajo e Republikës Sërpska, e kanë nënshkruar Deklaratën për mbrojtje të të drejtave kombëtare dhe politike dhe për të ardhmen e përbashkët të popullit serb.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dokumenti i referohet Marrëveshjes së Dejtonit - që i ka dhënë fund luftës në Bosnje - dhe nuk përmend përçarjet aty.
Ky dokument duhet të miratohet nga parlamentet e dy palëve brenda 90 ditëve.
Stevandiq i ka thënë Radiotelevizionit të Serbisë, më 9 qershor, se dokumenti i miratuar nuk ka të bëjë me ndonjë “Serbi të madhe”, por për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në të gjitha vendet.
Në organizimin e 8 qershorit kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Mes tjerash në këtë deklaratë përmendet që serbët në Kosovë, si dhe gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet të mbrojnë manastiret, kisha, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara, shkruan REL.
Në një pikë tjetër është përmendur edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhje të problemit.























