Zgjedhjet në BE, fiton e djathta
Hanife Osmani /RTK
Nga zgjedhjet për Parlamentin Evropian, Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë ka fituar 184 ulëse, duke shënuar bindshëm fitore. Këtë disfatë nuk e mirëpritën fuqitë e mëdha.
Nga zgjedhjet për Parlamentin Evropian, Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë ka fituar 184 ulëse, duke shënuar bindshëm fitore. Këtë disfatë nuk e mirëpritën fuqitë e mëdha.
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian në 27 vendet e Bashkimit Evropian, befasuan disa nga vendet e fuqishme si Franca dhe Gjermania. E djathta ekstreme u dha leksion një numri vendesh në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Sipas të dhënave të fundit, partitë e qendrës, liberale dhe socialiste do ta ruajnë shumicën në Parlamentin Evropian. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, shpalli zgjedhjet e parakohshme kombëtare, momentin që partia e tij u mposht nga ajo e ekstremit të djathtë. Data e votimeve në Parlamentin francez do të jetë më 30 qershor.
Të njëjtën disfatë e pësoi edhe kancelari gjerman Olaf Scholz. Socialdemokratët e Scholzit pësuan rezultatin më të keq ndonjëherë. Ata dolën të tretët pas Demokristianëve opozitarë dhe pas partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë. E djathta shënoi fitore edhe në Spanjë, si dhe përparim të konsiderueshëm në Hungari.
Në Holandë, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë doli e dyta, ndërsa në Austri partia me të njëjtin emër doli fituese. Në Itali, kryeministrja Giorgia Meloni do ta vazhdojë udhëheqjen e politikave të vendit, pasi partia e saj e ekstremit të djathtë, Vëllezërit e Italisë, mundi Partinë Demokratike të qendrës së majtë.
Mazhorancën në Parlamentin Evropian, i cili ka 720 vende, pritet ta formojë sërish Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë, e cila, sipas rezultateve preliminare, ka fituar 184 ulëse.
Në Gjermani, Konservatorët e opozitës, CDU, shënuan 30% të votave. Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) mori rreth 16% ndërsa partia SPD e kancelarit Olaf Scholz pati rezultatin e saj më të keq ndonjëherë në zgjedhjet evropiane, duke u renditur e treta.
Në Francë “Rally National” e Marine Le Penn fitoi 31.5%. Aleanca “Besoin d'Europe” - duke përfshirë Rilindjen e Presidentit Macron - fitoi 14.5%. “Réveiller l'Europe”, grupimi socialist, mori 14%, ndërkaq “La France Insoumise”, një parti populiste e krahut të majtë, fitoi 10.1%
Në Itali “Vëllezërit e Italisë” së ekstremit të djathtë të kryeministrit populist Giorgia Meloni morën 29% të votave, duke mposhtur Partinë Demokratike të qendrës së majtë me pothuajse pesë pikë.
Në Spanjë Partia Popullore Konservatore (PP) mundi Partinë Socialiste të Punëtorëve të kryeministrit Pedro Sánchez me 34.2% të votave, ndërsa partia e Sanchez u rendit e dyta me 30.2%. Vox i ekstremit të djathtë mori 9.6%
Separatisti Vlaams Belang në Belgjikë humbi nga Aleanca nacionaliste New-Flemish, ku u mbajtën edhe zgjedhjet kombëtare dhe rajonale. Kryeministri liberal i Belgjikës, Alexander De Croo njoftoi se do të japë dorëheqjen
Në Holandë “GroenLinks” u bë partia më e madhe, por humbi një vend, duke shkuar nga nëntë në tetë. Partia e Lirisë e Geert Wilders (PVV) doli e dyta.
Austria është një tjetër vend ku e djathta ekstreme performoi fuqishëm, pasi Partia e Lirisë (FPÖ) fitoi me 25.5%. Partia Popullore Konservatore është aktualisht në vendin e dytë, me 24,7% dhe Social Demokratët me 23,3%.
Në Hungari partia nacionaliste e kryeministrit hungarez, Viktor Orbán u duk se do të merrte më shumë vota në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të së dielës. Me 55% të votave të numëruara, partia “Fidesz” e Orbanit mori 43% të votave, e mjaftueshme për të dërguar 11 delegatë nga 21 vendet totale të Hungarisë në legjislaturën e Bashkimit Evropian.























