Zelensky pret `vendime të rëndësishme` për Ukrainën në Samitin e G7-së
BKT
Rajoni dhe Bota

Zelensky pret `vendime të rëndësishme` për Ukrainën në Samitin e G7-së

Hanife Osmani / RTK

Samiti i G7-së i cili po mbahet në Pulia të Italisë, ka ngjallur shpresa për një shtytje edhe më të madhe të ndihmave për Ukrainën. Vetë Presdenti Zelensky pritet gjithashtu të nënshkruajë marrëveshje të reja.

Liderët e shtatë vendeve më të pasura të botës kanë qenë mbështetës të rëndësishëm financiarë dhe ushtarakë të Ukrainës që nga pushtimi i plotë i Rusisë në vitin 2022. Zelensky, i cili po merr pjesë në samitin në Pulia, të Italisë jugore, pritet gjithashtu të nënshkruajë marrëveshje të reja sigurie me Japoninë dhe SHBA-në.

Shtëpia e Bardhë thotë se G7 ka bërë përparim të mirë në një plan të SHBA-së për të përdorur asetet e ngrira ruse të cilat kapin shifrën rreth 50 miliardë dollarë në favor të Ukrainës. Asetet ruse të ngrira së bashku edhe me BE-në arrijnë në 325 miliardë dollarë. Mirëpo, sipas ligjit ndërkombëtar, vendet nuk mund t'i konfiskojnë ato pasuri nga Rusia dhe t'ia japin Ukrainës. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak, do të ofrojë deri në 309 milionë dollarë në mbështetje për nevojat e Ukrainës në energji dhe ndihma humanitare përpara zgjedhjeve. Së shpejti me votuesit do të përballet edhe partia e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili shpalli zgjedhje të parakohshme parlamentare pas një humbjeje të madhe në zgjedhjet e fundjavës së kaluar për parlamentin e BE-së. E në pozitë më të favorshme duket të jetë kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ku partia e saj tregoi performancë të fortë në zgjedhjet evropiane fundjavën e kaluar.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota