Blinken akuzon Kinën që po ndihmon agresionin rus në Ukrainë
Hanife Osmani /RTK
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, dhe shefi i NATO-s, Stoltenberg, zhvilluan sot një takim të përbashkët. Të dy akuzuan Rusinë për agresion dhe Kinën për ndihmën e saj ndaj Rusisë.
Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken, priti Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në një takim me dyer të mbyllura. Pas takimit pasoi një konferencë e përbashkët nga ku u deklaruan për medie për tema të rëndësishme e aktuale.
Blinken u shpreh i shqetësuar për vendet të cilat po mundësojnë dhe përkrahin luftën ruse në Ukrainë. Sipas Blinkenit, 70% e makinerive që importon Rusia vijnë nga Kina. Ai shtoi se SHBA po vazhdon me vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, kësisoj për të mbajtur presionin, në mënyrë që agresioni rus në Ukrainë të përfundojë përfundimisht.
Në anën tjetër, Stoltenberg deklaroi se lufta e Rusisë në Ukrainë është e mbështetur nga Kina, Koreja e Veriut dhe Irani. Ai akuzoi fuqitë e përmendura se po dëshirojnë të shohin dështimin e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.























