Putin mbërrin në Vietnam, në vizitën e kritikuar nga SHBA-të
BKT
Rajoni dhe Bota

Putin mbërrin në Vietnam, në vizitën e kritikuar nga SHBA-të

RTK

Presidenti rus, Vladimir Putin, mbërriti në kryeqytetin vietnamez Hanoi, pas takimit të rrallë në Korenë e Veriut me homologun Kim Jong Un, në të cilin të dy autokratët ranë dakord për një partneritet të ri strategjik, të nxitur nga nevoja e Moskës për armë për luftën e saj në Ukrainë.

Vizita dy-ditore e Putinit në Vietnam ka shqetësuar Shtetet e Bashkuara, me një zëdhënës të Ambasadës së SHBA-së në Hanoi që thuhet se kritikoi udhëtimin duke thënë se “asnjë vend nuk duhet t'i japë Putinit një platformë për të promovuar luftën e tij të agresionit dhe përndryshe ta lejojë atë të normalizojë mizoritë e tij”, ka raportuar Reuters.

Ashtu si vizita e tij në Phenian, udhëtimi i Putinit në Hanoi mund të sinjalizojë thellimin e marrëdhënieve midis dy kombeve, ndërsa udhëheqësi rus kërkon të marrë mbështetje konkrete mes sanksioneve ndërkombëtare për luftën e tij të ashpër në Ukrainë.

Moska ka qenë një furnizues kryesor i armëve për Vietnamin që nga epoka sovjetike dhe analistët thonë se bisedimet për armët dhe energjinë mund të jenë në axhendë.

Vietnami është në qendër të përpjekjeve të SHBA-së për të kundërshtuar rritjen e ndikimit kinez në rajon dhe një pjesë kyçe e strategjisë Indo-Paqësorit të Uashingtonit. Vietnami nga ana e tij është i prirur të përfitojë nga përpjekjet amerikane për të pasur diversitet ne zinxhirët e furnizimit jashtë Kinës, si dhe shqetësim i SHBA-së për ngritjen ushtarake të Kinës në Detin e Kinës Jugore.

Vietnami ishte në mesin e disa vendeve të Azisë Juglindore që abstenuan nga bashkimi në një samit global mbi Ukrainën në Zvicër javën e kaluar.

Putin ne anën tjetër, përballet me një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për një skemë të dyshuar për të dëbuar fëmijët ukrainas në Rusi.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota