Mark Ruttes i hapet rruga për t`u bërë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-së
BKT
Rajoni dhe Bota

Mark Ruttes i hapet rruga për t`u bërë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-së

M.Miftari/RTKlive

Kryeministri holandez, Mark Rutte, është në radhë për t`u bërë shefi i ardhshëm i NATO-së, pasi Hungaria hoqi veton. Më herët, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, kishte vënë veton ndaj homologut të tij holandez, në largim, për detyrën kryesore të aleancës ushtarake edhe për shkakun e shpenzimeve të parave në mbështetje të Ukrainës.

Mark Rutte është afër për t'u bërë kreu i ardhshëm i NATO-së, pasi Hungaria hoqi veton e saj në marrëveshje pas një letre dërguar nga Rutte kryeministrit hungarez Viktor Orbán.

Letra e qetësonte kryeministrin hungarez se, si kreu i NATO-së, Rutte nuk do të vendoste ushtrinë hungareze ose nuk do të shpenzonte paratë e Hungarisë për të mbështetur Ukrainën.

Pasi Orban njoftoi se kishte hequr dorë nga kundërshtimet e tij të mëparshme ndaj kryeministrit holandez në largim, Sekretari i Përgjithshëm aktual i NATO-së, Jens Stoltenberg, raportoi se procesi i përzgjedhjes do të përfundonte "shumë shpejt, meqë Orban postoi një kopje të letrës që i ishte dërguar në X, ku shkruante, "Dje pas takimit në Bruksel, Rutte konfirmoi se ai e mbështet plotësisht këtë marrëveshje dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, nëse ai bëhet Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i NATO-së", njoftojnë mediet e huaja.

Në letrën e tij, Rutte shkruante se do të respektonte marrëveshjen e arritur midis Stoltenbergut dhe Orbanit, në Budapest, javën e kaluar, e cila konfirmoi se Hungaria do të lihej jashtë mbështetjes së NATO-së për Ukrainën.

Rutte përmendi, gjithashtu, se ai kishte marrë parasysh vërejtjet e paidentifikuara që kishte bërë për Hungarinë në vitin 2021, të cilat kishin shkaktuar pakënaqësi brenda qeverisë hungareze.

Politikani holandez e siguroi Orbanin me shkrim se trupat dhe fondet e Hungarisë nuk do të përfshiheshin në mbështetjen e NATO-së për Ukrainën.

Vendimet në NATO merren me konsensus midis të gjithë anëtarëve. Prandaj, vetoja e Hungarisë në udhëheqjen e Rutte-s do të thoshte se ai ishte i bllokuar nga ngjitja në pozicionin e lartë në aleancë.

Kundërshtime të mëtejshme?

Rutte ka miratimin e shumicës së aleatëve të NATO-së, përfshirë SHBA-në dhe Gjermaninë. Turqia kundërshtoi më parë ofertën e Rutte-s, por u tërhoq për ta miratuar atë në prill.

Midis 32 vendeve anëtare të aleancës, vetëm Rumania mbetet e padeklaruar. Presidenti i vendit, Klaus Iohannis, njoftoi ofertën e tij për t'u bërë sekretari i ardhshëm i përgjithshëm i NATO-së në mars, por nuk arriti të fitonte aq shumë mbështetje, sa Rutte.

Rutte njihet si kryeministri holandez më jetëgjatë në histori, pasi ka udhëhequr katër qeveri të koalicionit që nga viti 2010.

NATO do të mbajë samitin e saj vjetor në Uashington, në korrik, pas të cilit Rutte pritet të marrë drejtimin e aleancës nga Stoltenberg. Samiti do të fokusohet në mënyrën se si të sigurohet mbështetje ushtarake afatgjatë për Ukrainën.

Si kreu i NATO-së Rutte do të duhet të vendosë se si të mbështesë Ukrainën dhe të merret me presidentin e mundshëm të SHBA-së, Donald Trump, gjatë mandatit të tij. Trump është një skeptik i njohur i aleancës dhe ka kërcënuar të largohet, nëse anëtarët e tjerë nuk rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota