BE bie dakord, nisin negociatat për anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë
M.Miftari/RTKlive
Bashkimi Evropian ra dakord, të premten, të nisë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, një tjetër hap në rrugëtimin e gjatë të kombeve për t`u afruar me Perëndimin dhe për të zbutur ndikimin e Rusisë.
Belgjika, e cila aktualisht mban presidencën e BE-së, tha se vendet anëtare kanë rënë dakord që bisedimet të fillojnë më 25 qershor në Luksemburg.
Ukraina aplikoi për t'u bashkuar me bllokun më pak se një javë, pasi Rusia pushtoi atë në shkurt 2022, dhe liderët e BE-së vepruan me shpejtësi jo karakteristike, duke e bërë atë një kandidat në qershor të atij viti. Por procesi ka ecur më ngadalë dhe anëtarësimi, nëse vjen, do të zgjasë vite, apo edhe dekada, njofton AP.
Megjithatë, hapja e bisedimeve dërgon një tjetër sinjal të fortë solidariteti me Ukrainën, në krye të mbështetjes së madhe financiare të ofruar nga BE.
Udhëheqësit e bllokut 27-vendesh ranë dakord vitin e kaluar se negociatat e pranimit duhet të fillojnë si me Ukrainën, ashtu edhe me Moldavinë. Kjo ishte një marrëveshje e nevojshme politike dhe masa e së premtes vendos bazën ligjore për bisedimet
Për t'u anëtarësuar në BE, vendet kandidate duhet të kalojnë një proces të gjatë për të përafruar ligjet dhe standardet e tyre me ato të bllokut dhe për të përmbushur një mori kushtesh ekonomike dhe politike, duke përfshirë një angazhim për sundimin e ligjit dhe parimet e tjera demokratike. Ukraina, për shembull, do të duhet të frenojë korrupsionin e rrënjosur qeveritar dhe të miratojë reforma të tjera.
Ukraina është një nga disa vende që kanë dashur prej kohësh të anëtarësohen në BE, duke e parë atë si një rrugë drejt pasurisë dhe stabilitetit. Ndërsa BE-ja nuk është një aleancë ushtarake si NATO, anëtarësimi në bllok shihet gjithashtu nga disa si ofrim i mbrojtjes kundër ndikimit rus.
Moldavia e ka parë me nervozizëm pushtimin e fqinjit të saj nga Rusia. Ajo ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për kryerjen e një “lufte hibride” kundër vendit, duke përfshirë pretendimin për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet lokale dhe po zhvillon fushata të mëdha dezinformimi në përpjekje për të rrëzuar qeverinë dhe për të prishur rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.























