Mickoski nga sot merr detyrën si kryeministër i Maqedonisë së Veriut
Besnik Iseni / Shkup, RTK
Hristijan Mickovski sot në Qeveri pranoi detyrën nga parardhësi i tij, Talat Xhaferi, i cili udhëhoqi me ekzekutivin gjatë 100 ditëve të kaluara.
Qeveria e re me kryeministër Mickovskin, u zgjodh mbrëmë para mesnate me 77 vota “për” dhe 22 “kundër” nga deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Në fjalimin që mbajti në Kuvend, para votimit të Qeverisë, Mickovski tha se shteti do të jetë në duart e qytetarëve dhe institucionet do të punojnë për ta.
“Ne premtojmë se do të punojmë pa lodhur, se do të kujdesemi, se vendi do të ndryshojë, se do të ecë përpara, se do t’ju respektojmë dhe se do të jemi të përgjegjshëm. Prandaj në 100 ditët e para e nisim furishëm, me optimizëm, por edhe me shumë shpresë", tha Hristijan Mickovski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Qeveria e re do të ketë gjithsej 24 anëtarë, përfshirë kryeministrin dhe pesë zëvendëskryeministrat.
Në kabinetin qeveritar, gjashtë anëtarë do të jenë nga koalicioni VLEN , të cilët janë:Izet Mexhiti zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekologjisë, Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë, Orhan Murtezani, ministër për Eurointegrime, Fatmir Limani për Çështje Sociale, Besar Dirmishi, ministër i Ekonomisë dhe Arben Fetai, ministër për Qeverisje të mirë.























