Së paku 20 të vdekur në sulmet e reja ruse ndaj qyteteve ukrainase
Dardan Ramabaja /RTK
Dhjetëra persona janë vrarë kur Rusia nisi një sulm masiv me raketa kundër qyteteve anembanë Ukrainës, sipas zyrtarëve.
Në kryeqytetin Kiev, të paktën shtatë persona u vranë në një sulm të rrallë gjatë ditës. Kryebashkiaku i qytetit tha se një spital për fëmijë u godit nga sulmi me raketa dhe po evakuohej.
Kreu i administratës ushtarake në qytetin qendror të Ukrainës, Kryvyi Rih, tha se të paktën 10 persona ishin vrarë atje, dhe tre të tjerë në qytetin lindor të Pokrovsk.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili do të vizitojë Poloninë, tha se Rusia kishte gjuajtur rreth 40 raketa në objektiva në të gjithë vendin.
Tymi nga ndërtesat është parë në të gjithë kryeqytetin Kiev, ndërsa video e postuar në mediat sociale tregonte shkatërrimin brenda dhe jashtë spitalit të fëmijëve Okhmadyt.
Ministri i Shëndetësisë, Viktor Lyashko tha se repartet e kancerit dhe kujdesit intensiv ishin goditur nga shpërthimi.
Vitaliy Klitschko, kryetari i bashkisë së Kievit, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se bombardimi i spitalit ishte "një nga sulmet më të këqija" në kryeqytet që nga fillimi i luftës.























