Pas sulmit, Trump: Të qëndrojmë të bashkuar, e keqja s’mund të triumfojë
BKT
Rajoni dhe Bota

Pas sulmit, Trump: Të qëndrojmë të bashkuar, e keqja s’mund të triumfojë

Sh.Çoçaj/RTKlive

( E plotësuar) Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërkuar nga amerikanët që të qëndrojnë të fortë dhe të bashkuar pas sulmit ndaj tij. 

Ish-presidenti Trumpi, i cili është sulmuar me armë zjarri në një tubim të shtunën në Pensilvani, ka theksuar se mezi pret të flasë nga Wisconsin, ku do të mbahet Konventa Kombëtare Republikane këtë javë.

“Ju faleminderit të gjithëve për mendimet dhe lutjet e djeshme, pasi vetëm Zoti e parandaloi të pakëndueshmen që të ndodhte. Ne nuk frikësohemi, por mbetemi të palëkundur në besimin tonë dhe do e sfidojmë të keqen. Dashurinë tonë ta ndajmë me viktimat e tjera dhe familjet e tyre. Lutemi për shërimin e atyre që u plagosën dhe në zemrat tona kujtojmë qytetarin e vrarë brutalisht. Në këtë moment është më e rëndësishme se kurrë që të qëndrojmë të bashkuar dhe të tregojmë karakterin e vërtetë si amerikanë, duke qëndruar të fortë e të vendosur dhe të mos e lëmë të keqen të titojë. Unë vërtet e dua vendin  dhe ju dua të gjithëve, dhe mezi pres t'i flas Kombit tonë të Madh këtë javë nga Wisconsin” ka shkruar Trump në “Truth Social”.

Trumpi lirohet nga spitali pas tentativës për vrasjen e tij

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump është kthyer në shtëpinë e tij në New Jersey pasi u plagos në një tentativë për vrasje në një tubim të shtunën.

Të shtënat u dëgjuan teksa ai po fliste në tubim në Pensilvani, duke shkaktuar panik në turmë, ndërsa agjentët e Shërbimit Sekret vrapuan për ta larguar nga skena ish-presidentin.

Ndryshe, Trump ka reaguar pas atentatit ndaj tij, duke thënë se është qëlluar me një plumb që sipas tij, i shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë.

FBI identifikon autorin, një 20-vjeçar nga Pensilvania qëlloi ndaj Trump

20 vjeçari, Thomas Matthew Crooks, është identifikuar nga FBI si autori i sulmit ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

“FBI-ja ka identifikuar Thomas Mattheë Crooks, 20 vjeç, nga Bethel Park, Pensilvani, si subjekt i përfshirë në atentatin e ish-presidentit Donald Trump më 13 korrik, në Butler, Pensilvani. Ky mbetet një hetim aktiv dhe në vazhdim, dhe kushdo që ka informacion që mund të ndihmojë me hetimin inkurajohet të dërgojë foto ose video”, ka theksuar FBI në një deklaratë.

Shefi i komunikimeve Anthony Guglielmi ka njoftuar se personi i armatosur është “neutralizuar” menjëherë nga Shërbimi Sekret.

Sulmi me armë në SHBA, Trump jashtë rrezikut  për jetën, vritet sulmuesi

Kandidati i pritur republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, është jashtë rrezikut, pas disa të shtënave me armë zjarri që ndodhën teksa fliste në një tubim në Pensilvani.

Shërbimi Sekret ka bërë të ditur se një person u vra në audiencë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.

“Agjentët e vranë sulmuesin në vendngjarje”, thuhet në komunikatën e Shërbimit Sekret, duke mos e bërë të ditur emri i tij, e as motivi i mundshëm.

Ndërsa ish-presidenti Trump  ka thënë se u qëllua me një plumb që i shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë.

"E kuptova menjëherë se diçka nuk po shkonte kur dëgjova krisma, të shtëna, dhe menjëherë ndjeva se plumbi po çante nëpër lëkurë", ka shkruar Trump në faqen e tij të mediave sociale.

Ish- presidenti amerikan e ka falënderuar Shërbimin Sekret dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit për reagimin e tyre të shpejtë.

"Është e pabesueshme që një akt i tillë mund të ndodhë në vendin tonë", ka thënë ai, duke i shprehu ngushëllime familjes së personit të vrarë në tubim.

Zyrtarët e fushatës së ish-presidentit Donald Trump kanë thënë se ai ishte mirë me shëndet.

“Presidenti Trump falënderon forcat e rendit dhe reaguesit e parë për veprimin e tyre të shpejtë gjatë këtij akti të urryer”, ka theksuar zëdhënësi Steven Cheung në një deklaratë, duke bërë të ditur se ai është mirë dhe po kontrollohet në një institucion mjekësor lokal.

Agjentët e Shërbimit Sekret e tërhoqën Trumpin nga skena me të dëgjuar të të shtënave dhe e larguan me një automjet që e priste.

Trump dukej i gjakosur në njërën pjesë të fytyrës. Policia e armatosur doli në podium menjëherë.

Trump, kandidat i pritur i Partisë Republikane për president në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit, po u drejtohej mbështetësve të tij në Batlër të shtetit të Pensilvanisë, kur ndodhi incidenti.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjatë një adresimi ka theksuar se është mirënjohës që merr vesh se Trump është mirë.

"Lutem për të dhe familjen e tij dhe për të gjithë ata që ishin në tubim, ndërsa presim informacione të mëtejshme. Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne nuk mund të jemi kështu. Ne nuk mund ta pranojmë këtë", ka thënë ai.

I pyetur nga një gazetar nëse beson se incidenti ishte përpjekje për atentat, Biden ka theksuar se “dua të sigurohem që i kemi të gjitha faktet".

Edhe zëvendëspresidentja Kamala Harris ka thënë se dhuna si kjo, duhet të dënohet nga të gjithë.

"Ne lutemi për Trumpin, familjen e tij dhe të gjithë ata që janë plagosur dhe prekur nga këto të shtëna të pakuptimta", tha Harris përmes një deklarate.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, shkroi në X se dhuna nuk ka vend në politikën amerikane.

"Të gjithë amerikanët janë mirënjohës që presidenti Trump duket se është mirë, pas një sulmi të neveritshëm në një tubim paqësor", ka shkruar ai.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell, ka thënë se është tmerruar nga ajo që i ndodhi Trumpit, por i lehtësuar që ai është jashtë rrezikut.

"Dhuna politike nuk ka vend te ne", ka theksuar ai.

Ish-presidentët Barack Obama, George W. Bush, Bill Clinton dhe Jimmy Carter e dënuan po ashtu dhunën.

Sulmi ndaj Trumpit ishte përpjekja më serioze për të vrarë një president ose kandidat presidencial që nga atentati ndaj Ronald Reganit në vitin 1981.

Ky atentat vjen në një atmosferë thellësisht të polarizuar politike, vetëm katër muaj para zgjedhjeve presidenciale dhe disa ditë përpara se Trump të marrë zyrtarisht emërimin si kandidati i partisë së tij në Kuvendin Republikan.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota