Gjermania planifikon ta përgjysmojë ndihmën ushtarake për Ukrainën
BKT
Rajoni dhe Bota

Gjermania planifikon ta përgjysmojë ndihmën ushtarake për Ukrainën

Flutura Bekqeli / RTK

Gjermania po planifikon ta përgjysmojë ndihmën ushtarake për Ukrainën vitin e ardhshëm, nga rreth 8 miliardë euro në 4, sipas një projektbuxheti të miratuar nga qeveria.

Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, tha se financimi i Ukrainës ishte "i sigurt për të ardhmen e parashikueshme" për shkak të një skeme të grupit G7 të vendeve të pasura për të mbledhur 50 miliardë dollarë nga interesat mbi asetet e ngrira ruse. Gjermania është donatori i dytë më i madh ushtarak i Ukrainës, pas SHBA-së. Në vitin 2024, buxheti i Berlinit për Kievin është vendosur në rreth 7.5 miliardë euro.

Ulja e planifikuar e ndihmës vjen mes frikës në Ukrainë dhe midis aleatëve të saj evropianë se fondet e SHBA-së mund të shkurtohen apo edhe të ndalen nëse Donald Trump fiton presidencën në zgjedhjet e nëntorit. Projektbuxheti u miratua nga qeveria gjermane të mërkurën.

Edhe pse ndihma ushtarake për Ukrainën pritet të reduktohet, buxheti i mbrojtjes për vitin 2025 do të rritet me 1.3 miliardë euro në 53.25 miliardë euro.

Kjo është ende më pak se 6 miliardë euro për të cilat Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius kishte kërkuar.

Në përgjithësi, Gjermania po planifikon të përmbushë objektivin prej 2% të shpenzimeve për mbrojtjen, siç kërkohet nga aleanca e NATO-s. Buxheti i mbrojtjes ende duhet të miratohet nga ligjvënësit.

E në zhvillime të tjera, Rusia dhe Ukraina kryen të mërkurën shkëmbimin e fundit të robërve të luftës, ku secila palë mori 95 personel ushtarak. Emiratet e Bashkuara Arabe lehtësuan shkëmbimin. Një burim në ushtrinë e Ukrainës konfirmoi për BBC se trupat ukrainase ishin tërhequr nga fshati Krynky - një pikëmbështetje kyçe në bregun lindor të okupuar nga Rusia të lumit Dnipro në rajonin jugor Kherson.

Por burimi shtoi se operacionet e Ukrainës në zonë vazhduan. Kryeministri i ri i Britanisë Sir Keir Starmer do të presë rreth 45 liderë evropianë të enjten në një samit që ai shpreson se do të fillojë të rivendosë marrëdhëniet e Londrës me kontinentin. Mbledhja e Komunitetit Politik Evropian (EPC) do t'u japë gjithashtu udhëheqësve një shans për të riafirmuar mbështetjen për Ukrainën.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota