Biden thirrje për ndalimin e armëve automatike
Dardan Ramabaja / RTK
Joe Biden ka rinovuar thirrjen ndaj Kongresit për të ndaluar pushkët e sulmit, duke përfshirë modelin që u përdor në atentatin e dështuar ndaj Donald Trumpit.
“Një pushke AR-15 u përdor në të shtënat ndaj Donald Trump, model ky që në Amerikë ka vrarë shumë të tjerë, përfshirë fëmijë. Është koha për t'i nxjerrë jashtë ligjit", ka thënë Biden në një konventë në Las Vegas.
Kërkesa e tij erdhi pasi ai ju kthye fushatës për herë të parë që nga sulmi.
Për disa ditë pas të shtënave, fushata e Bidenit ishte në pauzë. Sulmet verbale ishin ndalur, reklamat televizive u tërhoqën dhe një mesazh uniteti u përçua nga shumë demokratë të shquar.
Por duke folur të martën, Biden vazhdoi të kritikonte ashpër Trumpin gjatë fjalimit në konventën e Shoqatës Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë.
Të drejtat e armëve janë një çështje për të cilën Biden ka bërë shpesh fushatë.
Në vitin 1994, ai luajti një rol të rëndësishëm në miratimin e një ndalimi për armët e sulmit, i cili skadoi në vitin 2004. Ai iu referua atij legjislacioni gjatë fjalimit të tij, duke thënë "E kam bërë më parë, do ta bëj përsëri".
Në vitin 2022, gjatë mandatit të tij të parë si president, Biden nënshkroi në ligj legjislacionin më të rëndësishëm të sigurisë së armëve në më shumë se dy dekada, i cili përfshinte kontrolle të zgjeruara të sfondit për blerësit e armëve dhe mbrojtje të tjera.























