Pesë persona të vrarë në një shtëpi të të moshuarve në Kroaci
REL
Pesë persona u vranë të hënën në Shtëpinë për të moshuar dhe të pafuqishëm në qytetin Daruvar - pjesa qendrore e Kroacisë.
Jozyrtarisht mësohet se një burrë hyri në këtë shtëpi dhe qëlloi me armë zjarri, raporton radion Evropa e Lirë.
Sipas informacioneve fillestare, pesë persona mbetën të vdekur në vendngjarje, ndërsa disa janë ende nën trajtim mjekësor.
Mediat shtojnë se sulmuesi iku nga vendi i ngjarjes, por se u kap shumë shpejt nga policia.
"Personi që është i lidhur me krimin, është nën mbikëqyrjen e policisë. Në vendngjarje do të kryhet një hetim i drejtuar nga zëvendësi i prokurorisë së qarkut Bjellovar", tha policia.
Televizioni rajonal N1 raportoi se sulmuesi është i lindur në vitin 1973, se ka qenë luftëtar në luftën e viteve '90 në Kroaci dhe se është i afërm i njërit prej banorëve në shtëpinë e të moshuarve.
Daruvar është një qytet me banja, me një popullsi prej 8.500 banorësh.























