Negociatat për armëpushimin në Gaza pritet të rifillojnë në Katar
BKT
Foto |EPA
Rajoni dhe Bota

Negociatat për armëpushimin në Gaza pritet të rifillojnë në Katar

Dardan Ramabaja| RTK

Negociatat për armëpushimin në Gaza pritet të rifillojnë ndërsa Izraeli urdhëroi evakuime të reja me konflikte që kanë vazhduar edhe në Bregun Perendimor.

Negociatorët do të takoheshin sërish në Katar të Premten për të kërkuar një marrëveshje armëpushimi në Gaza që do të mund të ndihmonte në shmangien e përshkallëzimit rajonal, t'i jepte fund një lufte që ka vrarë dhjetëra mijëra palestinezë dhe lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi.

Raundi i fundit i bisedimeve midis Izraelit dhe ndërmjetësuesve filloi të enjten dhe pritej të rifillonte të premten pas lutjeve të mesditës. Ndërmjetësuesit kanë thënë se po informojnë grupin militant palestinez Hamas, i cili nuk po merr pjesë drejtpërdrejt në bisedime, për zhvillimet.

"Kjo është punë jetike. Pengesat e mbetura mund të kapërcehen dhe ne duhet ta mbyllim këtë proces," u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë zëdhënësi i sigurisë kombëtare të SHBA, John Kirby.

Bisedimet deri më tani kanë dështuar për të kapërcyer ndarjet themelore, me Izraelin që thotë se paqja do të jetë e mundur vetëm nëse Hamasi shkatërrohet dhe ky i fundit që thotë se do të pranojë vetëm një armëpushim të përhershëm dhe jo të përkohshëm.

Gjatë natës, forcat izraelite goditën objektivat në Gazën e vogël të mbushur me njerëz dhe dhanë urdhra të rinj që njerëzit të largoheshin nga zonat që ajo i kishte caktuar më parë si zona të sigurta civile, duke thënë se Hamasi i kishte përdorur ata për të gjuajtur me mortaja dhe raketa ndaj Izraelit.

Në një deklaratë të enjten vonë, anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Hossam Badran tha se operacionet e vazhdueshme të Izraelit ishin një pengesë për të arritur një armëpushim.

Ndërkohë në një fshat në veri të Bregut Perëndimor gjatë natës, një palestinez u qëllua për vdekje ndërsa dhjetëra kolonë izraelitë sulmuan, duke u vënë flakën shtëpive dhe makinave, thonë zyrtarët palestinezë.

Ministria palestineze e shëndetësisë e ka dënuar aktin duke e quajtur "terrorizëm i organizuar shtetëror", kurse ushtria Izraelite thotë se po shqyrton raportet e asaj që ka ndodhur.

Ky është i fundit në serinë e sulmeve nga kolonët ekstremistë në fshatrat palestineze në Bregun Perëndimor, ku ka pasur një rritje të dhunës që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe lufta që pasoi në Gaza.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota