SHBA-ja, Katari dhe Egjipti në përpjekje për një armëpushimi në Gazë
Hanife Oamani / RTK
Tri vendet ndërmjetësuese mes Izraelit dhe Hamasit, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po bëjnë përpjekje për të siguruar një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët ditët në vijim. Në mbështetje të kësaj mundësie, në Izrael ka arritur edhe diplomati amerikan, Antony Blinken.
Përderisa numri i të vdekurve në Gaza po rritet në më shumë se 40.000 palestineze deri më tani, SHBA, Katari dhe Egjipti po vazhdojnë përpjekjet për të siguruar një armëpushim dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve.
Kryediplomati i Shteteve të Bashkuara Antony Blinken po viziton Izraelin si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të arritur një marrëveshje, disa ditë pasi SHBA paraqiti propozime dhe besojnë se do të mbyllnin boshllëqet midis Izraelit dhe Hamasit.
Bisedimet e armëpushimit pritet të rifillojnë në Kajro në ditët në vijim pas dy ditë negociatash në Doha këtë javë. Blinken do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë të kabinetit.
Ekipi negociator i Izraelit është deklaruar optimist mbi mundësinë e avancimit të një marrëveshjeje, sipas një deklarate nga zyra e Netanyahut. Megjithatë, Hamasi ka kërkuar që të zbatohet një plan armëpushimi i përshkruar nga Biden në fund të majit në vend të diçkaje që mund të sjell kushte të reja nga Izraeli.
Zyrtarë të Hamasit, thanë për Al Jazeera-s se Netanyahu mbetet pengesa kryesore për një armëpushim dhe një marrëveshje shkëmbimi për robërit e mbetur dhe të burgosurit palestinezë.
Sipas tyre, që nga dita e parë, ata bënë të ditur se nuk janë të gatshëm të pranojnë një marrëveshje të përkohshme, ngase një e tillë u arrit në nëntor të vitit 2023 por izraelitet nuk e respektuan atë.
Palestinezët po kërkojnë një marrëveshje përfundimtare dhe të plotë e cila do të përfshinte tërheqjen izraelite nga të gjitha pjesët e Gazës.
Ndër pikat tjera penguese sipas analistëve janë kushtet që Izraeli shtoi që kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë mbi propozimin e përshkruar në maj duke përfshirë praninë e vazhdueshme izraelite në korridorin e Filadelfit që ndan rajonin egjiptian të Sinait nga Rripi i Gazës dhe vendosjen e pikave të kontrollit për monitorojnë lëvizjen e njerëzve nga jugu në veri.
Negociatat po zhvillohen gjithashtu nën kërcënimin e një përshkallëzimi rajonal, me Iranin duke u zotuar të hakmerret kundër Izraelit pas vrasjes së liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran më 31 korrik.























