Rusia ka nisur një valë të re sulmesh në Ukrainë
Dardan Ramabaja / RTK
Rusia nisi një valë sulmesh me raketa dhe dron, duke shënjestruar një numër të madh rajonesh të Ukrainës dhe duke vrarë disa persona, njofton ushtria ukrainase herët të martën, një ditë pas sulmit më të madh ajror të Moskës ndaj fqinjit të saj.
Dy persona u vranë kur një hotel që u shkatërrua në qytetin qendror të Ukrainës, Kryvyi Rih, thanë zyrtarët rajonalë, ndërsa dy të tjerë vdiqën në sulmet e dronëve në qytetin Zaporizhzhia.
Sistemet e mbrojtjes ajrore të rajonit të Kievit u aktivizuan disa herë gjatë natës për të zmbrapsur raketat dhe dronët që po synonin kryeqytetin ukrainas, njofton administrata ushtarake e rajonit në Telegram.
Edhe të hënën, Rusia lëshoi më shumë se 200 raketa dhe dronë, duke vrarë të paktën shtatë persona dhe duke dëmtuar infrastrukturën energjetike në një sulm që u cilësua mizor nga presidenti amerikan Joe Biden.
Disa blogerë ushtarakë rusë, si kolektivi pro-luftës me emrin Rybar, i quajtën sulmet e Moskës një "akt hakmarrjeje" për inkursionin befasues të Ukrainës në territorin rus që ishte veprimi i parë i tillë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kremlini tha të hënën se do të ketë një përgjigje ndaj veprimit të Ukrainës në Kursk, por tre javë pas inkursionit, Kievi pretendon se ka përparime të mëtejshme. Moska thotë se vazhdon të godasë trupat ukrainase atje - por ende nuk është në gjendje t'i largojë ato.
Forcat ajrore të Ukrainës kanë deklaruar se kanë regjistruar lëshimin e disa grupeve të dronëve dhe ngritjen nga aeroportet ruse të bombarduesve strategjikë Tu-85 dhe interceptuesve supersonikë MiG-31.























