Franca pa kryeministër, paralajmërohen protesta
BKT
Rajoni dhe Bota

Franca pa kryeministër, paralajmërohen protesta

Bardhyl Bajrami /RTK

Partitë e majta që fituan zgjedhjet në Francë, kanë thënë se do të protestojnë për shkak të refuzimit të presidentit francez për ta caktuar si kryeministre të vendit, kandidaten e tyre.

Koalicioni katër-partiak, nën emrin Fronti i Ri Popullor, ka fituar më së shumti ulëse në Parlament, 193 vende, dhe ka thënë se kandidatja e tyre, shërbyesja civile nga Parisi, Lucie Castets, duhet të emërohet për kryeministre, edhe pse ky koalicion nuk ia ka dalë që ta fitojë shumicën në zgjedhje.

Partia më e madhe nga të katërtat, Franca e Pathyer, ka bërë thirrje për organizimin e demonstratave për datën 7 shtator.

Presidenti francez Emanuel Macron, ka thënë se Francës i duhet stabiliteti kushtetues dhe se e majta nuk mund t’i mbijetojë një mocioni të mosbesimit që do të kërkohej menjëherë nga opozita në parlament.

Presidenti francez ka nisur bisedimet e reja të martën me partinë e tij të quajtur së Bashku, si parti e cila ka dalë e dyta në zgjedhjet e parakohshme të qershorit.

Fronti i Ri Popullor përbëhet nga Franca e Pathyer, Partia Socialiste, Partia e Gjelbër Franceze dhe Partia Komuniste e Francës.

Sipas sistemit politik të Francës, presidenti emëron një kryeministër i cili mund të udhëheqë me shumicën në Asamblenë Kombëtare.

Kohët e fundit kryeministri ka ardhur nga e njëjta parti si presidenti por në zgjedhjet e parakohshme të qershorit, partia e presidentit Macron doli e dyta pas Frontit të Ri Popullor.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota