16 të vrarë dhe 36 të plagosur nga sulmet ajrore izraelite
BKT
Rajoni dhe Bota

16 të vrarë dhe 36 të plagosur nga sulmet ajrore izraelite

Hanife Osmani / RTK

16 të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur nga sulmet ajrore izraelite mbi caqet ushtarake siriane. Mes të vrarëve raportohet edhe për civilë.

Izraeli ka kryer një tjetër sulm ajror në Siri, duke shkaktuar të paktën 16 viktima dhe 36 të plagosur, raportojnë mediet shtetërore siriane. Sulmi ka ndodhur në zonën e Masyaf, në provincën Hama, ku u goditën disa objekte ushtarake. Mes të vdekurve ka ushtarë dhe civilë, ndërsa disa prej të plagosurve raportohet të jenë në gjendje kritike. Sipas një grupi monitorues britanik, një ndër objektivat ishte një qendër kërkimore, që dyshohet se merret me prodhimin e armëve kimike.

Izraeli nuk e ka komentuar sulmin, megjithëse më parë ka pranuar kryerjen e sulmeve në Siri, duke synuar objektiva të lidhura me Iranin, një prej armiqve kryesorë të tij. Këto sulme janë shtuar që nga fillimi i luftës në Gaza, dhe raportimet thonë se prej fillimit të vitit janë shënjestruar dhjetëra objektiva në Siri, duke shkaktuar qindra viktima.

Në prill, Irani akuzoi Izraelin për kryerjen e një sulmi ajror në një ndërtesë konsullate në Damask, i cili vrau dy komandantë të lartë të Gardës Revolucionare. Irani u hakmor duke kryer sulmin e tij të parë të drejtpërdrejtë ushtarak kundër Izraelit. Ai lëshoi 300 raketa dhe dronë, ndonëse pothuajse të gjitha u rrëzuan nga forcat izraelite dhe të udhëhequra nga ShBA.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota