Erdogan rikonfirmon mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës
A.B |RTKlive
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan dha sot një mesazh në Samitin e Katërt të Liderëve të Platformës së Krimesë, duke theksuar përkushtimin e Turqisë ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës.
“Mbështetja jonë për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës është e palëkundur. Kthimi i Krimesë Ukrainës është një kërkesë e ligjit ndërkombëtar”, deklaroi Erdogan në një video-mesazh, raporton Anadolu.
Ai theksoi qëndrimin e Turqisë ndaj Krimesë, duke theksuar se kthimi i saj Ukrainës përputhet me standardet ligjore ndërkombëtare.
Erdogan shprehu gjithashtu besim në veprime të mëtejshme për të mbështetur turqit tatarë të Krimesë, duke thënë: “Unë besoj se do të vazhdohet të ndërmerren hapa shtesë për të forcuar të drejtat e turqve tatarë të Krimesë në periudhën e ardhshme”.
Në përfundim të fjalimit të tij, Erdogan përcolli aspiratat më të gjera të Ankarasë për zgjidhjen e konfliktit, duke theksuar: “Dëshira jonë e sinqertë është që lufta të përfundojë me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme bazuar në integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”.
Turqia dhe SHBA-ja, si dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e shohin aneksimin si të paligjshëm.























