Stuhia `boris` shkakton përmbytje në Evropë
BKT
Rajoni dhe Bota

Stuhia `boris` shkakton përmbytje në Evropë

Hanife Osmani |RTK

Evropa Qendrore dhe Lindore po përballet me përmbytje të rënda ndërsa stuhia Boris përhap kaos në disa vende.

Situata është shpallur alarmante, me humbje njerëzish dhe dëme të konsiderueshme të cilat kanë përfshirë të gjithë rajonin. Në Austri, një zjarrfikës humbi jetën gjatë një operacioni shpëtimi, ndërsa edhe në Poloni dhe Rumani raportohet për viktima.

Në Republikën Çeke disa persona rezultojnë të zhdukur. Deri tani, dhjetëra mijëra njerëz janë pa energji elektrike dhe shumë të tjerë janë evakuuar në zona më të sigurta. Në provincën përreth Vienës, autoritetet kanë shpallur zonën si katastrofë, duke e përshkruar situatën si të "pa precedent". Ndërkohë, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka kërkuar përgatitjen e fondeve emergjente dhe ka urdhëruar dërgimin e forcave shtesë në zonat më të rrezikuara.

Në qytetin Nysa të Polonisë, rrugët kryesore janë përmbytur plotësisht, me nivelin e ujit që ka arritur mbi dritare. Autoritetet çeke kanë bërë thirrje që banorët të evakuohen menjëherë për të shmangur rrezikun e përmbytjeve edhe më të mëdha. Operacionet e shpëtimit po vazhdojnë me ndihmën e helikopterëve, duke evakuuar mijëra njerëz nga zonat më të prekura.

Kjo situatë konsiderohet si një nga përmbytjet më të rënda që nga viti 1997, kur përmbytjet në Poloni dhe Republikën Çeke morën më shumë se 100 jetë njerëzish.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota