Vërshimet po vazhdojnë të përhapen në Evropën qendrore, së paku 19 viktima
Luan Qorraj / RTK
Autoritetet e 4 vendeve të Evropës qendrore , më të goditurat nga vala e vërshimeve të befasishme, Polonisë, Rumanisë, Republikës Çeke dhe Austrisë kanë thënë se numri i konfirmuar i viktimave të vërshimeve, të nxitura nga shtrëngata Boris, ka arritur në 19.
Ata shtuan edhe se druajnë se ky nuk është numri përfundimtar i viktimave pasi që së paku 8 persona të tjerë janë ende të pagjetur, përderisa ujërat po vazhdojnë të përhapën.
Është bërë e ditur se autoritetet në Poloni urdhëruan evakuimin e më shumë se 40 mijë banorëve që jetojnë në afërsinë e brigjeve të lumit Nysa përderisa ekspertët thanë se vërshimet momentale janë vërshimet më të fuqishme që goditën këtë shtet në së paku 27 vite. Ndërsa zyrtarët në Poloni u kanë porositur qytetarëve se vërshimet do të përkeqësohen dhe se vala më e keqe ende nuk ka arritur.
Njëkohësisht është bërë e ditur se qytetet përgjatë rrjedhës së Danubit, nga Bratisllava në Sllovaki deri në Budapest të Hungarisë kanë filluar përgatitjet për arritjen e vërshimeve.
Gjithashtu është njoftuar se një pjesë e Italisë është goditur nga të reshurat masive dhe pritet që në ditët e ardhshme, edhe Italia do të ballafaqohet me vërshime.
Meteorologët kanë thënë se vërshimet e befasishme po ndodhin si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe kanë shtuar se, në të ardhmen e afërt, do të ketë çdo herë e më shumë ngjarje të tilla.























