Shpërthejnë pejxherët në Liban, vdesin 12 persona, plagosen mijëra të tjerë
BKT
Foto: AFP
Rajoni dhe Bota

Shpërthejnë pejxherët në Liban, vdesin 12 persona, plagosen mijëra të tjerë

Bardhyl Bajrami/RTK

12 persona kanë mbetur të vdekur e rreth tre mijë të tjerë të plagosur nga shpërthimi i pajisjeve të komunikimit që njihen si pejxherë në Liban.

Të paktën 12 persona kanë vdekur e mijëra tjerë janë lënduar në Liban si pasojë e shpërthimit pothuajse në të njejtën kohë të paisjeve të komunikimit, të njohura si pejxherë. Ministria libaneze e shëndetësisë ka thënë se 200 nga të lënduarit janë në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën. Disa nga të lënduarit kanë humbur të pamurit e disa tjerëve është dashur apo do të duhet t’u amputohen gjymtyrët.

Pejxherët përdoreshin nga pjesëtarët e Hezbollahut, organizatë kjo që e ka fajësuar Izraelin për ngjarjen ndërsa Izraeli nuk ka reaguar rreth ngjarjes.
Në bazë të disa fotografive të publikuara nëpër rrjetet sociale të pejxherëve që kanë shpërthyer, informata këto të paverifikuara, pejxherët janë të llojit Gold modeli AR-924 të kompanisë Tajvaneze Gold Apollo.

Themeluesi I kësaj kompanie ka mohuar se kompania ka ndonjë lidhje eventuale me ngjarjen. Ai ka thënë se kompania ka nënshkruar një marrëveshje me një kompani me bazë në Evropë për prodhimin e tyre dhe shfrytëzimin e emrit të kompanisë. Emri I kompanisë në Evropë është BAC dhe bazën e ka në Budapest të Hungarisë.

Agjencia e Lajmeve Reuters ka raportuar se Mosadi - agjencia inteligjente e Izraelit ka vendosur sasi të vogla të eksplozivit Brenda 5 mijë pejxherëve që ishin porositur nga Hezbollahu, shumë muaj para shpërthimeve të së martës.

Hezbollahu, grupi I armatosur libanez që ka përkrahjen e Iranit ka thënë se tetë anëtarë të saj janë vrarë, një vajzë e vogël dhe vajza e një anëtari tjetër të këtij grupi. Ky grup ka fajësuar Izraelin dhe ka thënë se do ta marrë dënimin e merituar.

Një ish-ekspert për municione në ushtrinë britanike, në kushte anonimiteti ka thënë se ka të ngjarë që secili pejxher ishte mbushur me 10 deri 20 gram eksploziv të fuqishëm ushtarak të fshehur brenda një komponenti të rremë elektronik. Ndërsa aktivizimi është bërë përmes një sinjali që njihet si mesazh në formë teksti alfanumerik.

Që nga fillimi I luftës në Gazë vitin e kaluar, hezbollahu I kishte paralajmëruar pjesëtarët e vet që të mos I përdorin telefonët mobil nga frika se mund të përgjoheshin nga agjentët izraelit të inteligjencës. Në vend të telefonëve, Hezbollahu po I përdorte pejxherët për komunikim, me një sasi të tyre të furnizuar kohë më parë.

Në vitin 1996, agjencia inteligjente e Izraelit, e njohur si Shin Bet kishte vrarë një ndërtues bombash të Hezbollahut me vënien e eksplozivit në telefonin e tij.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota