Prekazi thotë se fitorja e fundit ndaj Lituanisë erdhi si ilaç
BKT
Sport

Prekazi thotë se fitorja e fundit ndaj Lituanisë erdhi si ilaç

Uran Krasniqi / RTKLive

Ish-futbollisti dhe trajneri, Rafet Prekazi, ka thënë se fitorja e Kosovës kundër Lituanisë ishte më shumë se një trepikësh, duke e konsideruar si një ilaç pas zhvillimeve të fundit që kishin ndodhur brenda Kombëtares pas ndeshjes me Rumaninë.

"Kjo fitore erdhi si ilaç pas zhvillimeve të fundit që kishin ndodhur te Kombëtarja", është shprehur Prekazi në emisionin "AS" në RTK. 

Ai e ka vlerësuar angazhimin e futbollistëve, të cilët, sipas tij, dhanë gjithçka në fushë për të arritur këtë rezultat.

"Kosova e ka merituar fitoren. Ishte një angazhim i jashtëzakonshëm i të gjithë lojtarëve të Kosovës. Presioni i Kosovës në fillim ishte shumë pozitiv për realizimin e qëllimeve", ka thënë ai.  

Megjithatë, Prekazi ka theksuar se ka vend për përmirësime, veçanërisht në mesfushë. "Ka pasur edhe ndonjë lëshim", është shprehur ai, duke shtuar se mesfushorët duhet të tregojnë më shumë vetëbesim.

Sipas tij, Kosova nuk duhet ta nënvlerësojë Qipron në ndeshjen e ardhshme, duke thënë se nuk ka ndeshje të lehtë.