Sulmet izraelite në Liban, vranë kryetarin e një bashkie
Dardan Ramabaja / RTK
Vritet kryetari i bashkisë dhe pesë persona të tjera nga sulmet ajrore izraelite që goditën një ndërtesë komunale në Libanin jugor.
Një sulm ajror izraelit shkatërroi të mërkurën selinë komunale në Nabatieh, një qytet i madh në Libanin jugor, duke vrarë kryetarin e bashkisë dhe të paktën pesë të tjerë ndërsa ata u takuan për të koordinuar ndihmën për ata që vuajnë nga lufta.
Sulmi ngriti frikën se fushata ajrore në zgjerim e Izraelit, e krijuar për të shtypur Hezbollahun e mbështetur nga Irani, mund të përfshijë gjithnjë e më shumë zyrtarë publikë dhe ndërtesa, të cilat deri më tani janë kursyer.
Kryeministri i përkohshëm i Libanit Najib Mikati dënoi sulmin në kryeqytetin e provincës, duke thënë se ai "qëllimisht kishte në shënjestër një takim të këshillit bashkiak për të diskutuar gjendjen e shërbimit të qytetit dhe të ndihmës".
Ishte goditja më e rëndësishme izraelite deri më tani në një ndërtesë të shtetit libanez që kur zgjeroi ofensivën e tij muajin e kaluar dhe erdhi pavarësisht shqetësimeve të SHBA-së për rritjen e numrit të vdekjeve dhe perspektivës së një lufte gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme që prodhon naftë.
Izraeli në javët e fundit ka vrarë lidershipin e lartë të Hezbollahut dhe ka shënjestruar qytetet kufitare jugore, duke thënë se dëshiron të çmontojë infrastrukturën e Hezbollahut për të lejuar dhjetëra mijëra izraelitë të kthehen në shtëpi në veriun e Izraelit.
Ushtria izraelite tha të mërkurën se goditi dhjetëra objektiva të Hezbollahut në zonën e Nabatieh dhe dhjetra të tjera në Libanin jugor nga marina e saj.
Sipas tyre ata kanë "çmontuar" një rrjet tuneli të përdorur nga forcat elitare të Hezbollahut Radwan në zemër të një qyteti afër kufirit me Izraelin, duke publikuar një video që tregon shpërthime të shumta që tronditin një grup ndërtesash.
Koordinatorja Speciale e OKB-së për Libanin, Jeanine Hennis-Plasschaert, tha se vuajtja e civilëve po arrinte një nivel të paprecedentë pas sulmit izraelit në Nabatieh.
Izraeli tani po lufton me aleatët e Teheranit, Hezbollahun në Libanin jugor dhe në kryeqytetin Bejrut dhe me militantët palestinezë Hamasin në Gaza. Ajo po përgatitet gjithashtu të hakmerret për një sulm raketor iranian më 1 tetor, pas një operacioni të ngjashëm në shkallë të gjerë në prill.























