Vëllaznimi mposht Prishtinën në kryeqytet
Uran Krasniqi / RTKLive
Prishtina është mposhtur në shtëpi nga skuadra e Vëllaznimit me shifrat 85:101 (23:24, 15:26, 21:23, 26:28).
Kjo ndeshje ka qenë e fundit për xhiron e shtatë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Skuadra e Gjakovës ka dominuar gjatë gjithë ndeshjes, duke fituar të katër çerekët.
Edhe pse prishtinasit e kanë filluar ndeshjen më mirë, duke udhëhequr me shtatë pikë (13:6), Vëllaznimi ia ka arritur ta përmbysë rezultatin, duke përfunduar çerekun e parë me epërsi minimale 23:24.
Gjatë periudhës së dytë, mysafirët kanë vazhduar me lojë të mirë, duke e rritur epërsinë në pushim deri në 38:50. Në pjesën e dytë, Vëllaznimi ka menaxhuar me sukses epërsinë e fituar dhe ia ka arritur të shënojë fitore.
Trey Anderson ka qenë më efikasi te Vëllaznimi me njëzet e dy pikë të shënuara, ndërsa Levan Alson ka kontribuuar me shtatëmbëdhjetë pikë. Te Prishtina, Daniel Lekndreaj dhe Josh Nzeakor kanë qenë më të dalluarit me nga njëzet e dy dhe njëzet e një pikë.























