Rusia ratifikon paktin me Korenë e Veriut për ndihmë ushtarake
M.Miftari/RTKlive
Dhoma e Lartë e Parlamentit rus ratifikoi të mërkurën një traktat me Korenë e Veriut që parashikon ndihmën e ndërsjellë ushtarake, një veprim që vjen pasi SHBA-ja ka konfirmuar dislokimin e 10,000 trupave të Koresë së Veriut në Rusi.
"Marrëveshja gjithëpërfshirëse e partneritetit strategjik", të cilën presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në një vizitë në Phenian në qershor, detyron Rusinë dhe Korenë e Veriut të ofrojnë menjëherë ndihmë ushtarake duke përdorur "të gjitha mjetet" nëse ndonjëra sulmohet. Ajo shënoi lidhjen më të fortë midis Moskës dhe Phenianit që nga fundi i Luftës së Ftohtë, njofton AP.
Miratimi i paktit nga Dhoma e Lartë, Këshilli i Federatës, pason ratifikimin e tij nga Dhoma e Ulët, Duma e Shtetit, më 24 tetor.
Të hënën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller, u tha gazetarëve se deri në 10,000 ushtarë të Koresë së Veriut ndodheshin në rajonin Kursk të Rusisë dhe po përgatiteshin t'i bashkoheshin luftës së Moskës kundër Ukrainës, në ditët në vijim. Nëse ata angazhohen në luftime, kjo do të ishte pjesëmarrja e parë e Koresë së Veriut në një konflikt në shkallë të gjerë që nga fundi i Luftës Koreane 1950-53.
Moska dhe Pheniani i janë përgjigjur në mënyrë të paqartë pretendimeve të Koresë së Jugut dhe Perëndimit për vendosjen e trupave të Koresë së Veriut në Rusi, duke theksuar se bashkëpunimi i tyre ushtarak është në përputhje me ligjin ndërkombëtar, pa pranuar drejtpërdrejt praninë e forcave të Veriut në Rusi.
Të hënën, Putin u takua me ministrin e Jashtëm të Koresë së Veriut, Choe Son Hui, i cili ishte në një vizitë zyrtare në Rusi që nga fundi i javës së kaluar. Gjatë bisedimeve të saj me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov, Choe përsëriti mbështetjen e Phenianit "për luftën e drejtë të ushtrisë dhe popullit të Rusisë për të mbrojtur të drejtat sovrane të vendit të tyre dhe interesat e sigurisë" në Ukrainë.
Rusia dhe Koreja e Veriut kanë hedhur poshtë më parë pohimet e SHBA-së dhe aleatëve të saj se Pheniani i ka dhënë Moskës raketa balistike dhe miliona predha artilerie për përdorim në Ukrainë.























