Mbërrin në Shqipëri anija italiane me tetë emigrantë
BKT
Rajoni dhe Bota

Mbërrin në Shqipëri anija italiane me tetë emigrantë

REL

Një anije e marinës italiane ka mbërritur të premten në mëngjes në portin e Shëngjinit, duke i sjellë në Shqipëri tetë emigrantë të kapur në ujërat ndërkombëtare, të cilët do të mbahen në qendrat e pritjes gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil.

Kjo është hera e dytë që Italia dërgon emigrantë në Shqipëri prej se dy qendrat e pritjes filluan punën në tetor, sipas një marrëveshjeje mes dy vendeve.

Italia i dërgoi në Shqipëri fillimisht një grup prej 16 emigrantësh nga Bangladeshi dhe Egjipti muajin e kaluar. Katër prej tyre u kthyen në Itali në ditën e njëjtë, sepse ishin të mitur ose kishin probleme shëndetësore. Dymbëdhjetë të tjerët u kthyen mbrapsht tri ditë më vonë, pas një gjykatë në Romë urdhëroi që ata të mos mbahen në Shqipëri për shkak vendet e tyre të origjinës – Bangladeshi dhe Egjipti – nuk ishin vende të sigurta.

E zemëruar me këtë vendim, Meloni vendosi ta përditësojë statusin ligjor në listën e vendeve të sigurta, duke e bërë atë akt ligjor në vend se dekret ministrial, duke besuar se kjo do ta bëjë më të vështirë për gjykatat ta sfidojnë vlefshmërinë e tij.

Anija e marinës italiane 'Libra' u ankorua në Portin e Shëngjinit rreth orës 8:00 të premten dhe emigrantët u vendosën në qendrën pritëse, ku do t’i nënshtrohen verifikimit dhe kontrollit mjekësor, para se të dërgohen në kampin e Gjadrit.

Kjo anije, e cila mund t’i bartë deri në 200 njerëz përveç ekuipazhit, e nisi lundrimin nga ishulli Lampedusa të mërkurën me vetëm tetë emigrantë në bord, sipas mediave italiane.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Italisë, Francesco Kamel, e kishte konfirmuar nisjen e anijes drejt Shqipërisë, por nuk kishte dhënë më shumë hollësi. Ai nuk kishte treguar se kur do të mbërrinte anija e as sa njerëz po bartte.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota