Moti i keq në Spanjë, mijëra njerëz evakuohen në Malaga
Flutura Bekqeli | RTK
Mijëra njerëz janë evakuar nga shtëpitë e tyre në rajonin Costa del Sol të Spanjës jugore, pasi u dha një alarm i kuq i motit për shira ekstremë dhe përmbytje.
Agjencia e Mbrojtjes Civile e Spanjës dërgoi një alarm masiv në telefonat në provincën Malaga pas orës 22:00 me orën lokale të martën në mbrëmje, duke paralajmëruar për një "rrezik ekstrem të reshjeve". Zona, duke përfshirë resortet turistike Marbella, Velez dhe Estepona, pritet të marrë peshën e madhe të fenomenit ekstrem të motit të njohur si "Dana".
Disa rajone të tjera në Spanjë mbeten në gatishmëri pasi fronti i ri i motit pritet të sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe temperatura të ulëta vetëm disa javë pasi vendi u shkatërrua nga përmbytjet që kanë vrarë deri më tani më shumë se 220 njerëz.
Katalonja në veri-lindje të Spanjës, është vendosur gjithashtu në alarm të kuq deri të mërkurën në mbrëmje derisa shkollat në të gjithë provincën jugore të Malaga janë mbyllur.
Rreth 3,000 njerëzve që jetojnë në afërsi të lumit Guadalhorce u është thënë të largohen nga shtëpitë e tyre, ka thënë qeveria rajonale e Andaluzisë. Alarmi i ashpër i motit në Malaga ka çuar gjithashtu në shtyrjen e ndeshjes hapëse të Kupës Billie Jean King midis Spanjës dhe Polonisë, tha Federata Ndërkombëtare e Tenisit. Në pjesë të tjera të Spanjës po merren masa paraprake - me zonat lindore dhe jugore të Mesdheut më të rrezikuara.
Agjencia meteorologjike e Spanjës Aemet ka vendosur pjesë të rajoneve të Valencias dhe Andaluzisë, si dhe Ishujt Balearik, në alarm portokalli nga tani deri të enjten. Aemet paralajmëron për reshje shiu dhe stuhi që mund të jenë "shumë të forta deri të rrëmbyeshme". Në Valencia, orët e shkollës dhe aktivitetet sportive u pezulluan në disa zona dhe thasët e rërës u grumbulluan për të mbrojtur qendrën e qytetit të Aldaia.
Një nga arsyet e këtij moti, sipas meteorologëve është i ashtuquajturi Sistemi i motit "Dana", ku ajri më i ftohtë i lartë në atmosferë takohet me ajrin më të ngrohtë që rrjedh nga Mesdheu, i cili intensifikon stuhinë.























